Dhjetëra policë janë plagosur gjatë protestave në qytetin italian të Bolonjës, të shpërthyera pas vdekjes së Abderrahim Fakir, një burrë me origjinë marokene, i cili humbi jetën teksa mbahej me forcë nga efektivët e policisë.
Prokuroria ka hapur një hetim për vrasje të paqëllimshme ndaj oficerëve të policisë dhe personelit mjekësor të pranishëm në vendngjarje.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se është e domosdoshme të zbardhet e vërteta mbi rrethanat e vdekjes së Fakirit, por theksoi se “asgjë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj forcave të rendit”.
Ngjarja ndodhi të dielën në lagjen Pilastro të Bolonjës, pasi policia u njoftua nga një banor se Fakiri po sillej në mënyrë të çrregullt dhe po godiste dyert e garazheve. Sipas policisë, oficerët fillimisht u përpoqën ta qetësonin, por më pas përdorën sprej me piper për ta neutralizuar.Në pamje shihet edhe një civil që i mban këmbët, ndërsa personeli i ambulancës pret pranë vendit të ngjarjes. Pas rreth dy minutash, Fakiri ndalon së rezistuari dhe humbet ndjenjat. Oficerët i vendosin prangat në duar dhe këmbë, ndërsa më pas konstatojnë se ai nuk reagon.
Prokurorët e Bolonjës kanë nisur hetime për të përcaktuar nëse përdorimi i forcës nga policia dhe veprimet e personelit mjekësor kanë ndikuar në vdekjen e 42-vjeçarit.
Kryebashkiaku i Bolonjës, Matteo Lepore, e cilësoi videon e ngjarjes si tronditëse dhe organizoi një manifestim në mbështetje të familjes së viktimës. Në protestë foli edhe mbesa e Fakirit, Yossra, e cila tha se xhaxhai i saj “meritonte ndihmë, të dëgjohej dhe të trajtohej me dinjitet”.
Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i sindikatës së policisë italiane, Domenico Pianese, mbrojti veprimet e efektivëve, duke deklaruar se, bazuar në pamjet e publikuara, ndërhyrja ishte kryer sipas procedurave. Ai kritikoi gjithashtu organizimin e protestës menjëherë pas ngjarjes, duke argumentuar se ajo krijoi terren për grupe radikale që të përplaseshin me policinë.
Hetimet për vdekjen e Abderrahim Fakir vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të analizojnë edhe pamjet e kamerave trupore të policëve për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit.