Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë u mbajt seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Bleon Dibrani, i cili akuzohet për vrasjen e 19-vjeçarit Ardit Zymeri, më 23 mars 2025 në Vushtrri.
Në seancë u bë e ditur se më 27 mars 2026 është realizuar rikonstruktimi i vendit të ngjarjes, ku kanë qenë të pranishme të gjitha palët dhe përfaqësuesit e tyre, dëshmitari Valon Emini, si dhe ekspertët nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF) dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).
Nga ana tjetër, eksperti i IML-së ka deklaruar se rikonstruktimi nuk ndikon në raportin e mëhershëm të ekspertizës dhe se nuk ka nevojë për ndryshime apo plotësime.
Mbrojtësja e të akuzuarit Bleron Dibrani, avokatja Fatmire Braha, ka kërkuar që në cilësinë e ekspertit të ftohet kryetari ose njëri nga anëtarët e komisionit vlerësues të IPFK-së, me arsyetimin se në raport nuk janë specifikuar shkresat apo dëshmitë mbi të cilat janë bazuar konkluzionet e ekspertëve.Edhe mbrojtësi i viktimave, Ensar Suma, e ka kundërshtuar propozimin, duke vlerësuar se raporti është i qartë dhe pa kundërthënie, ndërsa dëgjimi i ekspertëve do të zvarriste procedurën gjyqësore.
Megjithatë, trupi gjykues ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes, duke vendosur që në seancën e radhës të dëgjohet kryetari i komisionit vlerësues që ka përpiluar raportin e ekzaminimit mendor për të pandehurin, dr. Arsim Gashi.
Për sqarimin e këtyre rrethanave, në seancën e radhës do të dëgjohen sërish eksperti i IML-së, Naim Uka, eksperti i AKF-së, Fejsal Lutfiu si dhe eksperti i IPFK-së.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 22 maj 2026 nga ora 09:30.
Si ndodhi vrasja e Ardit Zymerit në mars të vitit 2025?
Në aktakuzë thuhet se Dibrani, me armë zjarri të llojit “Zoraki 917-T”, e kalibrit 9 mm gaz, e cila ishte konvertuar në armë zjarri të kalibrit 9×17 mm, ka shtënë në drejtim të viktimës duke e goditur tri herë në trup.
Si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës, viktima kishte pësuar dëmtime të rënda në mushkëri dhe mëlçi, çka sipas Prokurorisë kishte shkaktuar gjakderdhje masive dhe pamjaftueshmëri të menjëhershme respiratore.
Tutje, në aktakuzë thuhet se gjatë arrestimit të Bleon Dibranit në vitin 2025, në shtëpinë e tij është gjetur dhe sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa e njëjta armë ka qenë në posedim në kundërshtim me ligjin. Gjithnjë sipas aktakuzës, i dyshuari Bleon Dibrani ka deklaruar se armën e mbante me vete që nga momenti kur, sipas tij, katër persona kishin tentuar ta fusnin në veturën e tyre rreth një muaj më parë. Ai ka shtuar se armën e kishte blerë nga një person në fshatin Pasomë të Komunës së Vushtrrisë dhe se e mbante vetëm për vetëmbrojtje, ndërsa personi që ia kishte shitur armën nuk kishte pasur njohuri për problemet që ai kishte pretenduar se i kishte.