100 nxënës trajnohen për emergjenca dhe mbijetesë në natyrë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
100 nxënës trajnohen për emergjenca dhe mbijetesë në natyrë
01/06/2026 - 14:58
Linku u kopjua
Rreth 100 nxënës të klasave të VIII-ta dhe IX-ta nga shkollat fillore të komunave të Fushë Kosovës, Mitrovicës dhe Shtimes, po marrin pjesë në një trajnim dyditor për kërkim-shpëtim dhe mbijetesë, i cili po mbahet në Qendrën e Kërkim-Shpëtimit në Berim (Qeqevë), në komunën e Zubin Potokut.
Aktiviteti i organizuar nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, po mbahet në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe përfshin ligjërata teorike dhe ushtrime praktike për reagim në situata emergjente, kërkim-shpëtim dhe mbijetesë në natyrë.
Në trajnim, së bashku me nxënësit dhe stafin përcjellës, po marrin pjesë rreth 200 persona. Në organizimin dhe realizimin e aktivitetit janë përfshirë strukturat e sigurisë, stafi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Veri, përfaqësues të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, si dhe kryetarët e komunave pjesëmarrëse.
Me rastin e hapjes së kampingut, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se ky aktivitet do t’u mundësojë nxënësve të fitojnë njohuri dhe aftësi praktike në fushën e kërkim-shpëtimit dhe reagimit ndaj emergjencave.
“Te dashur fëmijë, jam shumë i gëzuar sot që po e shënojmë 1 Qershorin këtu në Ujman, me hapjen e këtij kampingu në Zubin Potok. Ky aktivitet do t’iu mundësojë mësimdhënësve dhe instruktorëve që t’i pasurojnë njohuritë dhe përvojën e tyre profesionale, ndërkaq ju, nxënës të dashur, pas dy ditësh do të ktheheni në shtëpitë tuaja më të përgatitur, më të vetëdijshëm për rëndësinë e kërkim-shpëtimit, që është një nga shtyllat kryesore të këtij kampingu. Në kampingun e parë, të organizuar nga institucionet tona në bashkëpunim me shoqatat dhe partnerët e tyre, do të fitoni njohuri dhe aftësi të vlefshme praktike, siç janë reagimi ndaj zjarreve duke përdorur pajisjet përkatëse, e deri te dhënia e ndihmës së parë. Të gjitha këto njohuri do t’ju shërbejnë jo vetëm për mbrojtjen e natyrës dhe jetës së njerëzve, por edhe për zhvillimin tuaj personal”, tha Kurti.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se kampingu është vetëm fillimi i një programi që synon përfshirjen e nxënësve nga të gjitha komunat e Kosovës.
Ndërkaq, drejtoresha e Drejtorisë për Policimin në Komunitet dhe Parandalimin e Krimit, Zylfie Dema, u bëri thirrje nxënësve që t’u përmbahen rregullave të sigurisë gjatë qëndrimit në kamp.