Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se po zhvillon një takim për të marrë një "vendim përfundimtar" në lidhje me një marrëveshje për të zgjatur armëpushimin me Iranin.
Ai tha se Irani “duhet të bjerë dakord se nuk do të ketë kurrë një armë ose bombë bërthamore”, se ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet për “trafik të pakufizuar detar, në të dyja drejtimet” dhe se çdo minë në rrugët ujore “duhet të shkatërrohet”.
Kjo vjen pasi zyrtarët amerikanë i thanë BBC-së se të dy vendet kishin rënë dakord për një kuadër marrëveshjeje - të njohur si një memorandum mirëkuptimi - në pritje të miratimit të Trump dhe udhëheqjes së Iranit.
Ai gjithashtu këmbënguli që Irani t’i lejojë SHBA-së të largojë dhe shkatërrojë uraniumin e pasuruar.
"Nuk do të shkëmbehen para, deri në njoftim të mëtejshëm," tha ai. "Është rënë dakord për çështje të tjera, me shumë më pak rëndësi."
Vance thotë se SHBA-ja dhe Irani janë shumë afër një marrëveshjeje, por ende jo
Agjencia raportoi se nuk kishte asnjë dispozitë për shkatërrimin e materialeve bërthamore në memorandumin e mirëkuptimit të palëve.
Të enjten, zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, tha se negociatorët po “debatonin vazhdimisht për disa pika gjuhësore”, të cilat përfshijnë “çështjen e pasurimit”.
Që kur armëpushimi fillestar midis SHBA-së dhe Iranit hyri në fuqi më 8 prill, Trump ka sugjeruar - vazhdimisht - se të dyja palët janë afër një marrëveshjeje dhe se negociatat po përparojnë, por deri më tani nuk ka pasur rezultate thelbësore.
Kryenegociatori i Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, tha më herët të premten se Irani “nuk ka besim te garancitë apo fjalët”, vetëm te veprimet.