Programi për gazetarët e rinj si rrugë drejt dialogut dhe kundër gjuhës së urrejtjes
Edukimi Medial
Lexohet për: 5 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua
Gazetaria si një mjet i fuqishëm i informimit dhe edukimit publik, ka potencialin për të ndikuar pozitivisht në marrëdhëniet mes komuniteteve të ndryshme etnike. Gazetarët mund të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të hapur përmes raportimeve të balancuara dhe të paanshme. Duke paraqitur histori që theksojnë bashkëpunimin dhe respektin reciprok, ata mund të ndihmojnë në rrënjosjen e një kulture të dialogut dhe mirëkuptimit.
Për më tepër, mediat duhet të promovojnë zërat e të gjithë komuniteteve, duke i dhënë hapësirë përfaqësimit të barabartë dhe duke adresuar shqetësimet dhe sfidat që ata përballen. Kjo ndihmon në thyerjen e stereotipave dhe përforcimin e solidaritetit mes qytetarëve të Kosovës.
Në një shoqëri të ndarë, gazetaria ka përgjegjësinë për të ndihmuar në ndërtimin e urave dhe për të nxitur një klimë paqeje dhe mirëkuptimi.
Në vitin 2023, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë zhvilloi një iniciativë të veçantë që synonte të angazhonte gazetarët e rinj nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Ky program kishte për qëllim të nxisë një narracion pozitiv dhe të veprojë si kundërpërgjigje ndaj gjuhës së urrejtjes që shpesh mund të përhapet në media.
Eduart Krasniqi, një gazetar i ri iu bashkua këtij programi që në aspekt kyç kishte krijimin e një rrjeti të gazetarëve të rinj nga komunitete të ndryshme, të cilët punonin së bashku për të prodhuar histori të përbashkëta që reflektonin diversitetin kulturor të Kosovës.
Ai thotë se ky projekt u ka ndihmuar edhe për përfshirje në treg të punës, meqë për gjashtë muaj ka bërë praktikë në një nga televizionet vendore.
“Pres që nesër kur të fillojë punën të kem një eksperiencë gjashtë-mujore që të më ndihmojë në punën që do e bëjë, kështu që ka qenë një eksperiencë e shkëlqyer, nëse do e kisha rastin ta bëja prapë, besoj që do e kisha filluar të njëjtën.... Para se të fillojmë punën edhe gjatë punës kemi pasur trajnime se si të përballem me një rast ose çfarë të raportojmë e çka mos të raportojmë. Ajo që kemi mësuar edhe në fakultet por edhe çfarë kam mësuar prej kolegëve e redaktorëve në T7, është që gjuhët e urrejtjes më mirë mos me shpërfaq hiç. Nëse dikush e ka përdorur në prononcim ndonjë frazë të gjuhës së urrejtjes ose diçka tjetër e ka nxitur gjuhën e urrejtjes apo diçka, atëherë ajo pjesë veç është prerë (edituar) dhe nuk është publikuar, kështu që veç e kemi vazhduar storjen në mënyrë të rregullt. Pas prononcimit e kam ndjerë si detyrë timen personale për shkak të projektit që t’i them personit ‘nuk e di a e din por me këtë pjesë po e inkurajon gjuhën e urrejtjes’”, thotë ai.
Në kuadër të programit, Krasniqi shton se janë takuar edhe me të rinj të komuniteteve të tjera, ku kanë diskutuar për luftimin e gjuhës së urrejtjes e cila përhapet në media.
E Ivan Milkoviq, i cili është gazetar profesionist mendon se mediat mund të kontribuojnë në ndërtimin e një narrativi pozitiv në Kosovë.
“Mediat mund të kontribuojnë shumë në ndërtimin e një narrativi pozitiv në Kosovë, por çështja themelore është nëse e duan mediat këtë, kryesisht mediat ndjekin dhe përcjellin mesazhet e elitave politike dhe në bazë të kësaj ndërtojnë një lloj narrativi. Derisa nuk piqet vullneti dhe dëshira për ndryshime pozitive si në shoqëri ashtu edhe tek subjektet politike, nuk do të ketë ndryshime pozitive, mediat mund të flasin sa të duan, por nëse në shoqëri nuk është pjekur dëshira për këtë, atëherë mbetet thjesht një shkronjë boshe ne letër, thjesht një histori, që është një fjale boshe qe e ka fryrë era diku dhe nuk i arrin tek te askush, do të thotë lufta duhet të bëhet në të gjitha frontet njësoj, sigurisht që media luan rol vendimtar, por në fakt edhe ata që janë vendimmarrës duhet të marrin përgjegjësinë në duart e tyre, dhe me të vërtet të punojnë atë që vetëm e paralajmërojnë apo flasin se do ta bëjnë.