"Si kali i Trojës", PSD thotë se Vjosa Osmani po e përdorë LDK-në si trampolinë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
"Si kali i Trojës", PSD thotë se Vjosa Osmani po e përdorë LDK-në si trampolinë
12/05/2026 - 14:03
Linku u kopjua
Partia Socialdemokrate përmes një aksioni simbolik para Kuvendit të Kosovës ka kundërshtuar rikthimin e Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ata përmes një fotografie shfaqën Osmanin në “Kalin e Trojës”. Sipas kësaj partie, ish-presidentja po e përdorë LDK-në si “Kali i Trojës”.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se Vjosa Osmani nuk është kthyer në LDK vërtet, porse po e përdor atë si trampolinë për potencialisht ndonjë pozitë të ardhshme në institucionet e Kosovës.
“Kthimi që u trumbetua me të madhe i Vjosa Osmanit në LDK i ka dy probleme shumë të mëdha: E para është mashtrim i madh publik, sepse Vjosa Osmani nuk është kthyer fare në LDK. Vjosa Osmani po e përdor LDK-në si trampolinë për potencialisht ndonjë pozitë të ardhshme në institucionet e Kosovës. Qysh edhe u mor vesh sheshazi, ajo nuk është anëtare e LDK-së; e mori një grup prej nja 20 vetëve, po i fut në listën e LDK-së dhe po e ripërdor LDK-në edhe një herë. E dyta, ne besojmë që me këtë qasje, më shumë i shkon simbolika e kalit të Trojës, sepse LDK-ja më shumë se sa po bashkohet, po ndahet rishtazi”, tha Molliqaj.
Ndërsa për bashkimin mes Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit, Molliqaj u shpreh se kjo është “lidhje puro e interest” për pozita të dy individëve.
Mes tjerash, ai theksoi se Kosova “vuan” për mungesë të opozitës dhe se qytetarët nuk duhet të rizgjedhë personat e njëjtë.
Tutje, ai bëri thirrje tek qytetarët që t’i votojnë anëtarët e Partisë Socialdemokrate, të cilët sipas tij garojnë që vendit t’i bëjnë opozitë duke u shprehur optimist se gjashtë kandidatët e tyre bëjnë më shumë se deputetët aktual të opozitës.
I pyetur se pse kritikat e tyre janë orientuar tek opozita, e jo te Qeveria, Molliqaj potencoi se opozita po përlahet mes vete dhe sipas tij, nuk po e kryejnë funksionin e tyre si opozitarë.
Fotografia, e cila shfaq Vjosa Osmanin në "kalin e Trojës", aktualisht është vendosur para Teatrit Kombëtar.