Përsëriten sërish skenaret me koret me gjuhë urrejtëse, raciste dhe ksenofobe antishqiptare në tribunat e palestrës në Kumanovë në ndeshjen e mbrëmshme të basketbollit Maqedoni e Veriut-Rumani.
“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër” — ky ishte refreni i thirrjeve që u dëgjuan qartë nga një pjesë e tifozëve në podium, ndërsa autoritetet e pranishme nuk ndërmorën asnjë veprim për të ndalur gjuhën e urrejtjes.
Ky nuk ishte momenti i vetëm provokues gjatë ndeshjes. Përgjatë zhvillimit të saj, u dëgjuan edhe thirrje të tjera skandaloze dhe nxitëse të urrejtjes etnike, si parulla famëkeqe “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, që përkujtojnë retorikën më të errët të historisë evropiane.
Pas përfundimit të ndeshjes, nuk pati asnjë reagim zyrtar, distancim publik apo kërkim falje nga organizatorët apo përfaqësuesit institucionalë për incidentin që ka shkaktuar shqetësim dhe indinjatë në opinion.
“Dënoj ashpër thirrjet raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit. Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë”, shkroi Mexhiti në reagimin e tij publik.
Ai shtoi se këto veprime përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës dhe barazisë që, sipas tij, e bëjnë Maqedoninë e Veriut një shtet unik.
Në vend që ndeshja të ishte një manifestim sportiv dhe bashkimi, ajo u shndërrua në një teatër të nacionalizmit primitiv dhe urrejtjes kolektive, që nuk ka vend në një shoqëri që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. “Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma e gazit për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër” – janë thirrje që na rikthejnë në epoka të errëta të historisë evropiane, dhe të cilat nuk mund të relativizohen, nuk mund të heshtën dhe nuk mund të tolerohen. Ajo që është edhe më shqetësuese dhe më e neveritshme është heshtja e organizatorëve, e Federatës së Basketbollit, e MPB-së, e Komunës së Kumanovës, e Qeverisë dhe e çdo përfaqësuesi të pranishëm në atë tribunë të ndotur nga urrejtja”, thuhet në reagim.