Situata para Kuvendit të Shqipërisë u përshkallëzua teksa protestuesit dhe forcat e Policisë së Shtetit u përfshinë në përplasje të përsëritura pak para nisjes së seancës së fundit plenare të kësaj legjislature.
Pas hedhjes së vezëve, domateve dhe sendeve të tjera në drejtim të efektivëve, policia ndërhyri për shpërndarjen e turmës duke përdorur ujë me presion dhe spraj me piper.
Protestuesit, të cilët ishin mbledhur përpara godinës së Parlamentit, arritën të heqin një pjesë të gardhit metalik të vendosur nga policia për sigurimin e perimetrit.
Më pas ata hodhën vezë, domate dhe bidonë në drejtim të efektivëve të policisë, ndërsa nga ana e organizatorëve pati edhe thirrje për të mos sulmuar uniformat blu.Protestuesit u përpoqën të bllokojnë rrugën te kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit duke mos lejuar kalimin e mjeteve.
Situatë kaotike u raportua te bulevardi “Zhan d’Ark” ku protestuesit përpiqen të ndalojnë makinat. Disa prej tyre tërhoqën në rrugë edhe koshat e mbeturinave duke bllokuar qarkullimin e automjeteve.
Për shkak të masave të sigurisë, hyrja në zonën e rrethuar u kufizua jo vetëm për qytetarët dhe automjetet, por edhe për përfaqësuesit e mediave.