Mediumi Kallxo.com, që drejtohet nga Jeta Xharra, doli me sqarim pas pyetjeve nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, rreth profilit “Lule Gjeli” dhe një opinioni të publikuar po me këtë emër në faqen e Kallxo.com në vitin 2020.
Kallxo.com e pranoi që e kanë publikuar atë opinion me pseudonim “Lule Gjeli” me kërkesë të autorit, duke shtuar se ai nuk është i panjohur për redaksinë.
“Pos publikimit të opinionit, kurrfarë bashkëpunimi tjetër nuk ka pasur as me autorin e opinionit e as me facebook profilin Lule Gjeli. Vlerësimet dhe shenjëzimet e postimeve të profilit Lule Gjeli në Facebook si të rreme nuk do t’i quajmë si bashkëpunim, sepse disa herë kemi qenë të sulmuar mu për shkak të punës sonë në shenjëzimin e këtyre postimeve të rreme”, thuhet në përgjigjen e Kallxo.com për Përparim Ramën.
“Publikimi i opinionit ka ndodhur me 27.08.2020. Autori i këtij opinioni as nuk është paguar, e as nuk ka paguar në asnjë formë, në asnjë moment, në asnjë mënyrë për këtë publikim. Puna në redaktimin e këtij opinioni është mbuluar me fondet vetanake të KALLXO.com.”, thuhet në sqarim.