Sveçla e publikon emrin e serbit të arrestuar në Merdarë: Terroristët nuk kanë vend në vendin tonë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për arrestimin edhe të një personi të dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Sipas Sveçlës, i arrestuari është Stefan Raduloviq, i cili ishte në kërkim nga autoritetet e Kosovës dhe dyshohet për lidhje me organizimin dhe realizimin e sulmit me qëllim aneksimin e veriut të vendit.
“Terroristët nuk kanë vend në vendin tonë e as nuk do të mund t’i ikin përgjegjësisë pafundësisht. Sot, u arrestua edhe një terrorist i dyshuar, në kërkim, Stefan Raduloviq në lidhje me rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit me qëllim aneksimin e veriut”, shkruan Sveçla në Facebook.
Ai ka theksuar se institucionet e sigurisë janë të vendosura për të ndjekur të gjithë të përfshirët në këtë rast.
“Koha e tolerancës ka përfunduar. Ata do të kapën kudo që hasën. Vazhdojmë pa ndalur për kushtetutshmëri e ligjshmëri”, ka shtuar ministri.
Operacionet për arrestimin e të dyshuarve të tjerë në lidhje me rastin e Banjskës, sipas autoriteteve, janë duke vazhduar.
Sonte, Prokuroria Speciale e Kosovës, bëri të ditur se ka ndaluar personin me incialet S.R., mbi bazën e dyshimit për përfshirje në vepra penale të natyrës së rëndë, përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë, veprat që lidhen me sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues.
Sipas njoftimit, i dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës në pikën e kalimit kufitar në Merdar, ndërsa me vendim të prokurorit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.
“S.R dyshohet për kryerjen e veprave penale: “kryerja e veprës terroriste”, “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës””
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe Kodin e Procedurës Penale, duke garantuar njëkohësisht ruajtjen e integritetit të hetimeve në zhvillim.
Gjatë sulmit terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023 mbeti i vrarë Afrim Bunjaku.
/Kosovapress/