Supremja shfuqizon pjesërisht Rregulloren e UP-së për procedurat e avancimit të personelit akademik
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Supremja shfuqizon pjesërisht Rregulloren e UP-së për procedurat e avancimit të personelit akademik
Gjykata-Supreme1234
13/05/2026 - 15:11
Linku u kopjua

Gjykata Supreme shfuqizon pjesërisht Rregulloren e Universitetit të Prishtinës për procedurat e avancimit të personelit akademik.

Kjo gjykatë shpalli të paligjshëm dhe shfuqizoi nenin 18 paragrafi 7 të kësaj rregulloreje, i cili i rezervonte Senatit të Universitetit të Prishtinës të drejtën që në çdo moment ta tërheqë njohjen e publikimit në revistat e dyshimta ose botuesit e dyshimtë, por para vlerësimit përfundimtar të kandidatit.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Supreme e Kosovës, në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas padisë së Organizatës Joqeveritare “Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)” kundër të paditurit, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë për shqyrtimin e ligjshmërisë së dispozitave të Rregullores Nr. Prot. 1/282, datë 03.06.2025, për Procedurat Përzgjedhëse lidhur me Emërimin, Avancimin dhe Rizgjedhjen e Personelit Akademik në Universitetin e Prishtinës.

Me aktgjykimin e saj, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 18 paragrafi 7 të kësaj rregulloreje, i cili i rezervonte Senatit të Universitetit të Prishtinës të drejtën që “në çdo moment ta tërheqë njohjen e publikimit në revistat e dyshimta ose botuesit e dyshimtë, por para vlerësimit përfundimtar të kandidatit”.

Gjykata vlerësoi se kjo dispozitë nuk mbështetet në autorizim të mjaftueshëm ligjor apo statutar, tejkalon kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Statutin e Universitetit të Prishtinës, si dhe cenon parimet e sigurisë juridike, parashikueshmërisë dhe pritshmërisë legjitime të kandidatëve në procedurat akademike.

Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata Supreme thekson se nocionet “revista të dyshimta” dhe “botues të dyshimtë” nuk janë të përkufizuara qartë në legjislacionin në fuqi, ndërsa dispozita e kontestuar nuk përcakton kritere objektive, procedura vendimmarrëse apo mjete juridike mbrojtëse për kandidatët, duke krijuar hapësirë për arbitraritet administrativ.

Vlerësimi i publikimeve shkencore duhet të bazohet në statusin e revistës dhe indeksimit në momentin e publikimit të punimit shkencor, ndërsa zhvillimet e mëvonshme lidhur me statusin e revistës nuk mund të prodhojnë pasoja retroaktive për kandidatët, për aq kohë sa nuk provohet shkelje nga vetë autori.

Sa i përket pjesës tjetër të kërkesëpadisë, Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për shpalljen e paligjshme dhe shfuqizimin e fusnotës 16 të së njëjtës rregullore. Gjykata ka vlerësuar se fusnota, në aspektin juridik, ka karakter shpjegues dhe jo normativ, rrjedhimisht nuk përbën dispozitë të pavarur juridike me efekt detyrues.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026