Gjykata Supreme të enjten ka vendosur t’ia ulë dënimin Edmond Lajçit, nga burg i përjetshëm në 30 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes Gjyljeta Ukella.
Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2024, rreth orës 08:00, në Pejë, në rrugën “Bill Klinton” e pikërisht në banesën e tij, i pandehuri Edmond Lajçi me dashje dhe me armë – pistoletë e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën Gjyljeta Ukellën.
Supremja ka vlerësuar se gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë nuk e kanë zbatuar drejt nenin 41 të Kodit Penal lidhur me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.
“Një pjesë e rrethanave të konsideruara si veçanërisht rënduese nuk kanë pasur mbështetje në prova, ndërsa disa prej tyre përbëjnë elemente të vetë veprës penale dhe, për këtë arsye, nuk mund të justifikojnë shqiptimin e dënimit më të rëndë, të paraparë me ligj.Në pjesët tjera, aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit kanë mbetur të pandryshuara”, thuhet në njoftim.
Sipas Gjykatës Supreme, burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm në raste kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese që e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale dhe kur një dënim më i butë nuk do të ishte proporcional me peshën e veprës dhe fajësinë e kryerësit.
Sipas aktakuzës, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i kishte pasur i pandehuri me viktimën Gjyljeta Ukella, ku i njëjti kishte ushtruar edhe dhunë psikike ndaj viktimës, një ditë para ditës kritike i pandehuri ka shkuar në Spital ku ka qëndruar me nënën e tij e cila ka qenë duke u trajtuar nga një sëmundje, dhe në mëngjes i pandehuri është kthyer në banesë ku prezent ka qenë vajza e tyre T., dhe me qëllim që i pandehuri të mbetej vetëm me viktimën, ka kërkuar nga vajza e tyre T., të shkonte në dyqan për të blerë diçka.