Vazhdon shtrenjtimi i karburanteve sërish. Sot çmimi i naftës ka arritur në vlerën prej 1.50 euro centë për një litër, çmim ky maksimal i përcaktuar për sot nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ky shtrenjtim, për qytetarët po është i papërballueshëm dhe një shpenzim më shumë. Derisa më 25 qershor, çmimi i naftës në vendin tonë pati rënë në 1.36 euro-centë për litër raporton KosovaPress.
Qytetari njëherësh kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli ka kërkuar sot nga Qeveria e Kosovës të kontrollojnë rritjen e këtyre çmimeve, raporton KosovaPress.
"Rritja e naftës sot është një shpenzim plus për ne si qytetarë të Kosovës. Domethënë na kufizohet çdo gjë; udhëtimi, kryesisht. Qeveria e Kosovës edhe partnerët socialë duhet patjetër që ta shikojnë këtë, këtë ngritje të çmimit, sepse është e papërballueshme për qytetarët e Kosovës", tha Hykolli.
E sipas Shpend Gjinajt, qytetarët po e kanë të domosdoshme t'i përballojnë këto situata.
"Qytetarët po e përballojnë, dashte s'dashte, jemi të detyruar... Qeveria të punojë më shumë", tha Gjinaj.
Sipas njoftimit, çmimi maksimal i naftës për sot është 1.50 euro-cent për litër, çmimi i benzinës është 1.39 euro-cent për litër, ndërsa i gazit 0.61 cent për litër.
Lufta filloi me sulmet amerikane dhe izraelite në të gjithë Iranin më 28 shkurt, duke e shtyrë Iranin të sulmonte Izraelin dhe shtetet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik - si dhe duke mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe transporti për naftën dhe gazin natyror të lëngshëm në botë.
Si rrjedhojë e konfliktit të nisur më 28 shkurt në Lindjen e Mesme, çmimet e naftës në Kosovë kishin arritur deri 1.91 euro – centë për litër.