Ka momente kur jeta në Moskë duket krejtësisht normale. Mëngjesi i së enjtes nuk ishte një prej tyre.
Në juglindje të qytetit, një rafineri nafte ishte goditur gjatë një sulmi me dron ukrainas - edhe nga larg pamja ishte surreale.
Sado e jashtëzakonshme dhe tërheqëse për syrin ishte kjo, aq i tillë ishte edhe reagimi i njerëzve pranë rafinerisë.
Blerësit po shkonin dhe po ktheheshin nga një supermarket, sikur të ishte thjesht një e enjte tjetër.
Atëherë e kuptova se ndjesia ime për atë që është normale dhe çfarë jo në Moskë, kishte nevojë për përditësim.
Në një farë mënyre, anormalja është tashmë normalja e re.
Përveç dëmeve në rafinerinë e naftës, u dëmtuan edhe qendrat tregtare dhe ndërtesat e banimit. Sipas guvernatorit të rajonit të Moskës, një vajzë tetëvjeçare u vra në një zjarr të shkaktuar nga një nga sulmet me dronë.
«Nuk jam krejtësisht i befasuar nga ajo që ndodhi», thotë Slava, e cila jeton në një bllok apartamentesh përballë rafinerisë së naftës. «Por nuk e prisja një sulm kaq të madh».
Por një tjetër banore vendase, Nadezhda, nuk pa asgjë normale në atë që po ndodhte.
«Na u deshën katër vjet për të fituar Luftën e Dytë Botërore, edhe pse ushtarët tanë kishin pak ushqim dhe ujë», më tha ajo.
Si u përgjigjen autoritetet ruse njerëzve si Nadezhda, rusëve që përpiqen të kuptojnë pse i ashtuquajturi "operacion ushtarak special" i Kremlinit po zgjat kaq shumë dhe si është e mundur që lufta të ketë mbërritur në qytetin e tyre?
Kur gazetat ruse e raportuan historinë të nesërmen, dallova një fije të përbashkët në mbulimin e tyre: një mesazh të koordinuar, ndoshta, për audiencën vendase.
Mund të përmblidhet si kjo: "Sado keq që të jetë për ne, Ukraina po vuan më shumë".
Narrativa ishte pothuajse identike në gazetën qeveritare Rossiyskaya Gazeta: "Sulmet tona ndaj ndërmarrjeve të mbrojtjes që punojnë për ushtrinë ukrainase janë shumë më të fuqishme se ato me të cilat rusët, për fat të keq, po përballen."
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shihet para një takimi me kryeministrin e Kamboxhias, Hun Manet, në kuadër të samitit Rusi-ASEAN në Kazan të enjten, më 18 qershor.Reuters
Kur Kremlini më në fund reagoi, dha një mesazh të ngjashëm.
"Pamjet që tregojnë rezultatet e sulmeve të kryera nga forcat tona të armatosura janë mbresëlënëse. Këto sulme do të vazhdojnë."
Nuk ka asnjë shenjë që sulmet me dronë ukrainasë ndaj qyteteve ruse e kanë bërë Putinin të mendojë. Nga fjalimet dhe deklaratat e tij të fundit, udhëheqësi i Kremlinit duket i vendosur të vazhdojë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, i bindur se në këtë luftë rraskapitëse vendi i tij do të triumfojë.
Në atë që është bërë normaliteti i ri, Moska pret më shumë sulme me dronë, raporton BBC.
"Sulmi ukrainas ndaj rajonit të Moskës më 18 qershor nuk do të jetë sulmi i fundit, apo edhe një nga të fundit", parashikoi Moskovsky Komsomolets."Është qeveria jonë ajo që duhet të vendosë se çfarë të bëjë. E tëra çfarë mund të bëjmë është të vëzhgojmë."