Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), njofton se pas rasteve të raportuara për dyshime të helmimit të qytetarëve në Prishtinë dhe Han të Elezit, ka ndërmarrë menjëherë kontrolle zyrtare emergjente për të mbështetur institucionet kompetente në identifikimin e shkaktarit të mundshëm dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Në të dy lokacionet, inspektorët veterinarë të AUV-së kanë zhvilluar inspektime të jashtëzakonshme, gjatë të cilave janë kontrolluar kushtet higjieno-sanitare, procedurat e vetëkontrollit të operatorëve, dokumentacioni përkatës, gjurmueshmëria e produkteve dhe lëndëve të para, si dhe janë marrë mostra zyrtare për analiza laboratorike mikrobiologjike.
Analizat laboratorike janë në proces. Pas përfundimit të tyre dhe vlerësimit të të gjitha provave të mbledhura gjatë kontrollit zyrtar, AUV do të përpilojë raportin përfundimtar dhe do të njoftojë publikun për rezultatet, thuhet në njoftim.
Po ashtu, operatorët duhet të respektojnë me rigorozitet kushtet e ruajtjes, temperaturat e përcaktuara për secilin produkt dhe funksionimin e pandërprerë të zinxhirit të ftohjes, veçanërisht gjatë muajve të verës kur temperaturat e larta rrisin ndjeshëm rrezikun e prishjes së ushqimit.
AUV u bën thirrje edhe qytetarëve që gjatë blerjes të kontrollojnë etiketimin, afatin e përdorimit dhe kushtet e ruajtjes së produkteve, ndërsa pas blerjes të sigurojnë transportin dhe ruajtjen e tyre sipas udhëzimeve të prodhuesit.