I riu nga Malisheva vdes pasi goditet nga pajisja e punës, në Prizren
Ngjarjet Kryesore
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
I riu nga Malisheva vdes pasi goditet nga pajisja e punës, në Prizren
Një 24 vjeçar nga fshati Drenoc i Malishevës dyshohet se ka humbur jetën, mëngjesin e së hënës, në një aksident tragjik që ngjau në vendin ku po punonte ai, në lagjen Arbana në Prizren.
Ai, siç raporton medium RTV Malisheva, dyshohet se vdiq pasi është goditur nga një pajisje e punës, në një objekt ndërtimi.
Lajmin se ka vdekur një person në Prizren e ka publikuar më së pari Indeksonline, ndërsa e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se rreth orës 9 policia ka pranuar se një person, pa shenja jete ishte dërguar në ambulancën e lagjes Arbana.
“Sipas informatave fillestare të siguruara nga dëshmitarët, dyshohet se viktima, derisa ishte duke punuar në një objekt ndërtimi, gjatë procesit të betonimit është goditur nga një pjesë e pajisjes së punës, me ç‘rast ka pësuar lëndime fatale dhe ka humbur jetën në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar ai.
Bytyqi ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipet përkatëse hetimore, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit fatal.