Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka hapur thirrjen për aplikim në kuadër të Programit për Pagesa Direkte 2026, duke ftuar fermerët në mbarë vendin që të aplikojnë për subvencione në mbështetje të prodhimit bujqësor dhe zhvillimit rural.
Sipas njoftimit, aplikimi ka nisur më 22 qershor dhe do të jetë i hapur deri më 21 korrik 2026, në ora 16:00. Fermerët mund t’i dorëzojnë aplikimet në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në komunat përkatëse.
Mbështetja financiare përfshin një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë drithërat, perimet, pemishtet, vreshtat, blegtorinë, bletarinë, bimët mjekësore dhe aromatike, si dhe prodhimin organik.
MBPZhR ka bërë të ditur se kriteret e pranueshmërisë dhe dokumentacioni i nevojshëm ndryshojnë sipas sektorëve dhe kulturave bujqësore, ndërsa dokumentet duhet të dorëzohen brenda afatit të aplikimit.Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë u kanë bërë thirrje të gjithë fermerëve që të aplikojnë brenda afatit dhe të sigurojnë dokumentacionin e kërkuar për kategorinë përkatëse të mbështetjes.