Është përmbyllur punëtoria “Plastic Soup in the City – Ndikimi i planifikimit urban në mjedit”, e organizuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Rotary Club Gjermani-Kosovë, në kuadër të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës .
Zëvendës-rektorja për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik në UP, Rozafa Basha, tha se punëtoria bashkoi të rinj vendorë dhe ndërkombëtarë rreth çështjes së ndotjes nga plastika, që ndikon drejtpërdrejt në qytetet e Kosovës.
Shpresoj sinqerisht që këto ditë t'ju kenë dhënë jo vetëm njohuri, por mbi të gjitha miqësi të reja. Sepse ideja kryesore e kësaj punëtorie ka qenë pikërisht krijimi i miqësive të reja, zhvillimi i ideve të reja dhe motivimi për t’u bërë kontribuues më aktivë në ndërtimin e qyteteve më të qëndrueshme. Për Universitetin e Prishtinës, bashkëpunimi me Rotary Club ka një vlerë të veçantë. Shpresojmë që së shpejti, ndoshta në vjeshtë, ta formalizojmë këtë bashkëpunim përmes një marrëveshjeje zyrtare ndërmjet universitetit tonë dhe organizatës suaj. Partneritete të tilla lidhin dijen akademike me angazhimin qytetar – që është pikërisht ajo që përfaqëson puna juaj – dhe krijojnë mundësi të vlefshme që të rinjtë nga vende të ndryshme të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të bashkëpunojnë për sfida të përbashkëta.
Në ditën e fundit të kësaj punëtorie, studentë nga vende të ndryshme të Evropës prezantuan disa ide që do të ndihmonin në uljen e mbeturinave plastike nëpër qytetet e Kosovës, e sidomos në Prishtinë.Një nga grupet e studentëve që prezantoi idetë e tyre ishte “The Green”. Në fjalimet e tyre, pa u prezantuar, thanë se fillimisht identifikuan probleme kryesore, ku vunë re se problemi i parë ishte ndotja dhe hedhja e mbeturinave vend e pa vend.
“Para se të fillonim projektimin, identifikuam problemet kryesore që vumë re në qytet dhe që mund t'i trajtonim brenda temës së punëtorisë. Problemi i parë ishte ndotja dhe hedhja e mbeturinave në vende të papërshtatshme. Pamë shumë mbetje plastike, sidomos pranë universitetit. Problemi i dytë ishte mungesa e ndarjes së mbeturinave. Shumica e koshave publikë nuk ofrojnë ndarje sipas materialit. Ky nuk është vetëm problem i Prishtinës, por edhe i shumë qyteteve të tjera në botë”, tha ai, raporton KosovaPress.
Në këtë punëtori, nuk pati asnjë zyrtar nga Komuna e Prishtinës, ani se ishte paralajmëruar prezenca e kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama.