SPAK godet grupin kriminal në Vlorë, porositën dy vrasje dhe trafikuan 1.9 tonë drogë
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
SPAK godet grupin kriminal në Vlorë, porositën dy vrasje dhe trafikuan 1.9 tonë drogë
SPAK 1234
07/03/2026 - 17:25
Linku u kopjua

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur një grup të strukturuar kriminal me bazë në Vlorë, i përfshirë në trafik ndërkombëtar të drogës, pastrim parash dhe krime të rënda kundër personit.

Hetimet e nisura në vitin 2022 janë mbështetur në komunikimet e koduara SkyECC dhe kanë dokumentuar një sërë aktivitetesh kriminale të shtrira në disa vende të Bashkimit Europian.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” për 8 shtetas shqiptarë. Deri tani janë ekzekutuar masat për tre persona, ndërsa një tjetër është arrestuar në Zvicër.

Janë shpallur në kërkim Inez Hajrulla, Ervis Matodashaj, Mendu Duka, Arben Memishaj dhe Argest Xhezani. Në pranga ka rënë edhe një oficer policie, Rezart Kuçi, ndërsa aktualisht në burg janë Flofian Plaku dhe Hamëz Demushi, i arrestuar në Zvicër. Oficeri i policisë dyshohet se ka përdorur funksionin e tij për të ndihmuar aktivitetin kriminal, duke siguruar logjistikë për transportin e drogës, nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore dhe përdorur sistemin TIMS në mënyrë të paligjshme.

Krime të rënda të dokumentuara

Hetimet kanë zbuluar përfshirjen e grupit në vrasjen e Gentjan Qarrit më 6 shkurt 2021 dhe ekzekutimin e shtetasit B.B. më 10 maj 2021 në Vlorë. Autorët kanë përdorur mjete survejimi, automjete dhe plane të detajuara për realizimin e krimeve, duke koordinuar veprimet në kohë reale përmes komunikimeve të koduara.

“Të hetuarit I.H dhe E.M, në bashkëpunim me pjestarë të tjerë të grupit të strukturuar kriminal kanë organizuar, ndërvepruar dhe koordinuar në kohë reale me ekzekutorët, me qëllim realizimin e vrasjes dhe kanë dhënë udhëzime operative që kishin të bënin me  monitorimin e viktimës, sigurimin e automjeteve dhe kryerjes së vrasjes, fshehjen e autorëve dhe djegien e automjetit me të cilin janë larguar autorët. Nga analiza e komunikimeve, rezulton se I. H. dhe E. M. si dhe shtetas të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit, në bashkëpunim me njeri- tjetrin, kanë ndërmarrë një seri veprimesh të qëllimshme, për të realizuar vrasjen e shtetasit B. B. Ata kanë siguruar të gjitha kushtet dhe kanë përdorur mjete teknike, si kamera survejimi dhe kanë vëzhguar lokalin “The boss” në pronësi të shtetasit B. B., për të monitoruar në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet, oraret dhe personat, me të cilët shoqërohet. Gjithashtu rezulton se ata kanë hartuar një plan konkret për mënyrën dhe vendin e ekzekutimit. Shtetasi B. B. është ekzekutuar më datë 10 maj 2021, në lagjen ‘Hajro Çakërri’, në Vlorë“, shkruan SPAK.

Trafiku ndërkombëtar i drogës

Hetimet e SPAK kanë dokumentuar disa raste të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Në portin e Roterdamit në Holandë, autoritetet sekuestruan 750 kilogramë kokainë, e porositur në Ekuador nga Flodian Plaku (i njohur me disa identitete) në bashkëpunim me Mendu Duka dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, me destinacion vendet e Bashkimit Europian. Hetimet tregojnë se grupi kishte ngritur një mekanizëm financiar të sofistikuar për financimin dhe transportin e drogës.

Gjithashtu, rreth 14 kilogramë kokainë u sekuestruan nga Policia Greke në Patra, brenda një kamioni që udhëtonte nga Holanda. Nga komunikimet e koduara rezulton se ky transport ishte organizuar nga Argest Xhezani, në bashkëpunim me persona të tjerë, me destinacion final Italinë.

Në një tjetër rast, 400 kilogramë kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor 2020 u sekuestruan nga autoritetet gjermane. Sipas hetimeve, porositës dhe posedues të kësaj sasie dyshohen të jenë Rezart Kuçi, oficer policie, dhe Arben Memishaj, të cilët kishin investuar edhe në mjete lundruese për transportin e drogës.

Po ashtu janë dokumentuar edhe sekuestrime të lëndëve narkotike të llojit cannabis sativa, përfshirë 227 kilogramë të kapura në pikën doganore Ipsala në Turqi në korrik 2020 dhe rreth 500 kilogramë të sekuestruara në vendkalimin kufitar Bogorodicë në Maqedoninë e Veriut në mars 2021. Dyshohet se këto ngarkesa transportoheshin përmes kamionëve drejt Turqisë, duke kaluar nga Greqia.

Sipas SPAK, grupi kriminal kishte ngritur mekanizma financiarë të sofistikuar për të realizuar pagesat dhe për të financuar blerjen e lëndëve narkotike në Amerikën Latine, ndërsa transporti kryhej përmes rrugëve detare dhe tokësore drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Përfshirja e oficerit të policisë

Hetimet e SPAK kanë zbuluar edhe përfshirjen e një oficeri policie në aktivitetin kriminal. Rezart Kuçi, me detyrë oficer policie, dyshohet se ka përdorur funksionin e tij për të ndihmuar grupin e strukturuar kriminal në Vlorë, transmeton RTSH.

Sipas dosjes hetimore, Kuçi ka qenë i përfshirë në:

sigurimin e logjistikës për transportin e lëndëve narkotike;

nxjerrjen e informacioneve konfidenciale mbi kontrollet policore;

ndërhyrjen në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin;

përdorimin e paligjshëm të sistemit TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal;

komunikimin e koduar përmes aplikacionit SkyECC.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026