Policia e Kosovës , dje në kuadër të zbatimit të planit operativ “Migrimi Ilegal”, gjatë vëzhgimit të vijës kufitare në afërsi të pikë kalimit kufitar Hani i Elezit, kanë vërejtur një person të dyshuar duke shoqëruar në këmbë tre persona nga fshati Bllacë-RMV, në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit, personat e dyshuar, pasi kanë kaluar ilegalisht vijën kufitare, me të arritur në rrugën ndërmjet dy pikë kalimeve kufitare, kanë vazhduar lëvizjen me një automjet që dyshohej se ishte duke i pritur.
Më tej thuhet se me urdhër të prokurorit kompetent është iniciuar rasti “Kontrabandim me migrantë”, përderisa njëri nga personat e dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, është liruar në procedurë të rregullt.
“Tre migrantët janë dërguar në Qendrën e Pritjes për Migrantë, ku janë trajtuar nga njësia për Migrim dhe të Huaj. Gjithashtu, me urdhër të prokurorit, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar automjeti i dyshuar me targa vendore, si dhe një telefon mobil”, thuhet në komunikatë.