Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur një tjetër rrjet të dyshuar ndërkombëtar të përfshirë në trafikimin e kokainës dhe pastrimin e pastrimit të parave, duke lëshuar 10 masa arresti, si dhe duke vendosur sekuestro preventive mbi pasuri të shumta me vlerë rreth 150 milionë euro.
Mbi bazën e kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 10 shtetas shqiptarë, konkretisht: Nikoll Bibaj, Isa Aliu, Sokol Bibaj, Florjan Musaj, Armando Pacani, Denis Matoshi alis Eldi Dizdari, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu, Dritan Gjika, Shpëtim Aliu.
Deri më tani, në pranga ka rënë vetëm Florjan Musaj, ndërsa për 2 persona të tjerë që dyshohet se ndodhen në Shqipëri, vijojnë kërkimet. Ndërkohë, 7 personat e tjerë ndodhen jashtë vendit, ndërsa për arrestimin e tyre, SPAK thekson se është duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese të vendeve të tjera.
Ky rrjet kriminal drejtohej nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari alias Denis Matoshi, dy emra mjaft të njohur të botës së krimit.Eldi Dizdari alias Denis Matoshi është një prej eksponentëve më të kërkuar nga drejtësia i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Prej vitesh tashmë është në kërkim nga drejtësia italiane ku Gjykata e Firences ka caktuar ndaj tij “arrest me burg” më 25 nëntor 2019 për trafik ndërkombëtar të kokainës.
Hetime ndërkombëtare dhe trafik masiv kokaine
Hetimet kanë provuar gjithashtu përdorimin e komunikimeve të enkriptuara dhe koordinimin e aktivitetit kriminal përmes strukturave të organizuara që përfshinin furnizimin, transportin, magazinimin dhe shpërndarjen e drogës në tregjet europiane.
Paralelisht me trafikun e drogës, SPAK ka dokumentuar edhe skema të pastrimit të parave, ku të ardhurat e përfituara dyshohet se janë futur në Shqipëri në formë cash dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, projekte ndërtimi dhe shoqëri tregtare.
Sipas hetimeve, këto fonde janë përdorur për të financuar kompani në sektorin e ndërtimit, hotelerisë dhe konsulencës, si dhe për blerje kuotash në shoqëri tregtare me qëllim fshehjen e origjinës së parave.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme, janë vendosur masa sekuestro preventive mbi rreth 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, përfshirë vila, apartamente, hotele, truall, kompani, automjete luksoze dhe mjete lundruese.
Në total, janë sekuestruar 209 llogari bankare, dhjetëra shoqëri tregtare dhe pasuri të paluajtshme në Tiranë, Durrës, Himarë, Sarandë, Shkodër dhe zona të tjera, përfshirë komplekse rezidenciale dhe turistike në bregdet.
Vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara, sipas SPAK, arrin në rreth 150 milionë euro, ndërsa verifikimet për vlerësimin përfundimtar vijojnë.