(I plotësuar) Pesë persona janë arrestuar në kuadër të një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, në rastin e njohur si “Reçaku II”, që lidhet me hetimet për krime lufte.
Në konferencën për media të mbajtur pas operacionit, prokurori special Ilir Morina bëri të ditur se arrestimet janë kryer në bazë të urdhrit të gjykatës.
“Të dyshuarit e arrestuar janë: me iniciale M.V., data e lindjes 5 shtator 1968, shtëpi ashtu me banim në Shtërpcë, shtetas kosovar i nacionalitetit serb, ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. I dyshuari i dytë me iniciale S.J., data e lindjes 2 gusht 1967, i lindur dhe banues në Gotovushë, Shtërpcë, i nacionalitetit serb, shtetas i Republikës së Kosovës, tani i pensionuar, si ish-polic i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Po ashtu, i pensionuar është edhe subjekti i prezantuar pak më herët. I dyshuari i tretë me iniciale B.P., data e lindjes 16 dhjetor 1969, i lindur në fshatin Sevce dhe banues po ashtu në fshatin Shtërpcë, i nacionalitetit serb, shtetas i Republikës së Kosovës. Po ashtu, edhe i njëjti i pensionuar si ish-polic i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Ky shtetas është arrestuar sot në pikë-kalimin kufitar në Jarinjë në orën 02:47 minuta të mëngjesit. I dyshuari i katërt S.M., data e lindjes 17 prill 1968, i lindur dhe banues në fshatin Viçë, Shtërpcë, i nacionalitetit serb, shtetas i Republikës së Kosovës, tani i pensionuar si ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. I dyshuari i pestë me iniciale S.S., data e lindjes 25 janar 1966, i lindur dhe banues në fshatin Biti e Epërme, i nacionalitetit serb, shtetas i Republikës së Kosovës, tani i punësuar në Shërbimet Postare të Serbisë, i mobilizuar në dhe pjesë e formacioneve policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në kohën e kryerjes së veprave penale. Po ashtu është realizuar edhe një bastisje në fshatin Jazhince, Shtërpcë, ku është kërkuar i dyshuari me inicialet S.J., po ashtu i nacionalitetit serb, tani i pensionuar, ish-polic i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, por i njëjti nuk është hasur në vendbanim, me ç'rast nuk është arritur të arrestohet”, tha ai.
Sipas tij, gjatë këtij operacioni hetuesit kanë arritur të gjejnë një mori provash që konsiderojnë se janë relevante për rastin.“Pak rëndësi ka nëse ka punuar në atë kohë apo pas luftës, rëndësi ka që gjatë hetimeve mundohemi të përcaktojmë statusin personal dhe profesional të tij, nëse ishte apo jo pjesëtar i ashtuquajturave në atë kohë njësive të posaçme. Ju e dini që edhe në aktakuzën e parë të Reçakut, udhëheqës ka qenë Goran Radosavloviq, i njohuri me nofkën Guri, i cili është i dyshuar për një mori masakrash në territorin e Kosovës, e këta të arrestuar sot janë pjesëtar të atyre njësive”, tha ai.
Ai po ashtu nënvizoi se drejtësia mund të vihet në vend vetëm kur ekzistojnë prova të mjaftueshme, duke shtuar se deri në vitin 2020 nuk kishte pasur hetime serioze lidhur me masakrën e Reçakut.