Haga shtyn vendimin “special”, Behrami e quan turp, OVL-UÇK paralajmëron protesta
Video
Lexohet për: 6 min.
Dëgjoje me zë...
Haga shtyn vendimin “special”, Behrami e quan turp, OVL-UÇK paralajmëron protesta
gucati foto
01/07/2026 - 20:27
Linku u kopjua

Gjykata Speciale këtë të mërkure ka marrë vendim që fjalën përfundimtare në rastin Thaçi dhe të tjerët ta thotë më 16 shtator të këtij viti nga ora 10:00.

Për kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati, ky vendim është i papranueshëm, njëjtë, siç tha, që është për të gjithë veteranët dhe qytetarët e vendit.

Gucati tha se Specialja e ka stërzgjatur këtë vendim pa arsye, teksa paralajmëroi se do të thirren protesta ndaj vendimit të fundit të Speciales.

"Për ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës, por edhe për të gjithë veteranët dhe qytetarët shqiptarë është i papranueshëm ky vendim. E kanë stërzgjatur këtë gjykim. Ata pothuajse i bëjnë 6 vite në shtator. Po i mbajnë afër 6 vite burg padrejtësisht dhe për ne është e papranueshme kjo shtyrje. Qe dy herë që po e shtyjnë nga dy muaj, pra katër muaj, qe katër muaj po e shtyjnë pa nevojë, pa arsye. Besoj se nuk kanë pasur fare nevojë që ta shtyjnë deri më 16 shtator. Ne të dielën e kemi një protestë në Kroaci që do të mbahet më 5 korrik. Besoj se nuk do të rrimë duarkryq, prapë do të protestojmë, tash do të ulemi me kryesi të bisedojmë, sigurt se do ta mbajmë në kryeqytetin tonë, Prishtinë apo diku. Ne nuk do të ndalemi, do të protestojmë vazhdimisht për t'i treguar opinionit ndërkombëtar se kjo gjykatë është e padrejtë, e njëanshme, është një gjykatë e cila i mban qe 6 vite krerët e UÇK-së apo krerët e shtetit në burg padrejtësisht. Po e dimë të gjithë se çka po do kjo gjykatë dhe çka po mendon. Unë jam i bindur se ne do të fitojmë, me emër të Zotit do të fitojmë, por kjo gjykatë po merr kohë, vetëm vonim sepse shpëtim s'ka", tha Gucati për KosovaPress.

Tutje, ai u shpreh se kanë frikë nga bashkëpunimi në mes, sipas tij, gjyqtarëve të Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë dhe pasi sipas tij mund të ndodhë edhe më e keqja.

"Vendim i papranuar. Ne si OVL-UÇK protestojmë ashpër ndaj këtij vendimi, ndaj këtyre gjyqtarëve. Po dihet se gjyqtarët janë në koordinim me prokurorët. Çdo gjë është e koordinuar me Prokurori. Dëmi është shumë i madh kur bashkëpunojnë gjyqtarët me Prokurorinë. Është rrezik, kemi frikë, nuk do të thotë që s'kemi frikë. Kemi frikë se mund të ndodhë edhe më e keqja, por dhashtë Zoti që të mos ndodh, por prapë jam optimist se krerët e UÇK-së do të lirohen si të pafajshëm", tha ai për KosovaPress .

Kurse, deputeti i zgjedhur i PDK-së, Artan Behrami, tha se vendimi i fundit i Speciales është skandaloz ndaj krerëve të UÇK-së.

Sipas Behramit, ky vendim i ka tejkaluar të gjitha limitet e një gjyqi të drejtë, por edhe të gjitha normat e shteteve perëndimore dhe të shteteve autoritare e diktatoriale, siç janë Rusia e Koreja e Veriut.

“Pra, kemi të bëjmë me një shtyrje të qëllimshme dhe tash e gjashtëmbëdhjetë vjet hetimet asnjëherë nuk kanë përfunduar. Tash e gjashtë vjet krerët e UÇK-së mbahen padrejtësisht në paraburgim, kanë kaluar pothuajse pesë muaj nga fjala përfundimtare dhe ata kanë kërkuar edhe dy muaj të tjerë që të ketë verdikt. Pra, pothuajse një vjet iu është dashtë atyre që të nxirret verdikti dhe këtu shihet që kjo gjykatë është një gjykatë politike dhe nuk ka lidhje me drejtësinë. Megjithatë, më 16 shtator në ora 10:00 rrugët e Hagës dhe rrugët e Prishtinës duhet të jenë përplot shqiptarë dhe kjo ditë është në duart e trupit gjykues... të Gjykatës Speciale të Hagës. Është në duart të trupit gjykues të Gjykatës Speciale të Hagës nëse këtë ditë duan ta shndërrojnë në ditë feste për drejtësi, apo në protestën më të madhe në historinë që ka njohur Haga dhe Prishtina kundër padrejtësisë që mund të ndodhë në rast se verdikti do të jetë negativ për krerët e UÇK-së”.

Behrami tha se Gjykata Speciale edhe pak ditë do të shkojë në pushim deri në fund të gushtit, e sipas tij, ata nuk do të punojnë, por do të pushojnë nëpër ishujt e Evropës e botës, teksa qytetarët dhe familjarët e ish-krerëve të UÇK-së presin në ankth.

“Kjo shtyrje është totalisht absurde, sepse Gjykata Speciale edhe pak ditë shkon në pushim dhe do të jetë në pushim deri në fund të gushtit. Pra, ajo këtë kohën që e ka blerë ose këtë kohën që e ka shtyrë nuk është kohë produktive. Ata nuk do të punojnë, ata do të shkojnë nëpër ishujt e Evropës edhe të botës dhe do t'i kenë dy muaj pushim, derisa ne presim në ankth këtu në Kosovë dhe familjet e tyre presin një verdikt të tillë. Dhe kjo është totalisht e pandërgjegjshme dhe është një turp shumë i madh edhe për shtetet financuese të kësaj gjykate, e cila është shndërruar në një monstrum politik”, tha Behrami për KosovaPress.

Ai shtoi se kjo shtyrje nga Specialja është një test që i bëhet elitave politike në Kosovë, teksa nuk përjashtoi as mundësinë e protestave ndaj këtij vendimi.

“Po natyrisht që Partia Demokratike e Kosovës urgjentisht do ta analizojë këtë gjendje të re të krijuar dhe natyrisht që do të marrë vendime të ndryshme sepse edhe në të kaluarën ka mbështetur të gjitha marshet e lirisë që janë organizuar për krerët e UÇK-së. Dhe PDK-ja do t'i analizojë, por nga perspektiva personale unë mendoj që kjo është edhe një test që i bëhet popullit të Kosovës, edhe një test që i bëhet elitave politike në Kosovë, dhe këtë test duhet ta kalojë... nëse jo Qeveria e Kosovës dhe Presidenca e Kosovës, duhet ta kalojë populli i Kosovës. Edhe protesta është një mjet demokratik për t'i treguar edhe Hagës, edhe shteteve financuese të kësaj gjykate që populli i Kosovës është me krerët e UÇK-së edhe që populli i Kosovës nuk pranon asnjë verdikt dënues nga një gjykatë e cila në mënyrë sistematike ka shkelur të drejtat e njeriut, ka shkelur të gjitha normat e një drejtësie dhe një gjyqi fer dhe të drejtë. Prandaj unë mendoj që protestat janë një opsion real të cilin qytetarët dhe populli i Kosovës duhet ta ndjek”, tha Behrami.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026