Si mund të parandalohen 45% e rasteve të demencës?
Shëndetësi
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Si mund të parandalohen 45% e rasteve të demencës?
OBSH
20/07/2026 - 13:33
Linku u kopjua

Deri në 45% e rasteve të demencës mund të parandalohen ose të shtyhen në kohë përmes një stili jetese të shëndetshëm dhe masave të thjeshta parandaluese. Ky është përfundimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila publikoi udhëzimet e reja për uljen e rrezikut të rënies njohëse dhe demencës.

Sipas OBSH-së, mbi 57 milionë njerëz jetojnë aktualisht me demencë në mbarë botën, ndërsa çdo vit regjistrohen rreth 10 milionë raste të reja. Sëmundja e Alzheimerit mbetet forma më e zakonshme e demencës, duke përbërë 60–70% të të gjitha rasteve.

Edhe pse ende nuk ekziston një kurë përfundimtare për demencën, ekspertët theksojnë se shumë faktorë rreziku mund të kontrollohen, shkruan Ansa.

Pirja e duhanit, konsumimi i tepërt i alkoolit, izolimi social, mungesa e aktivitetit fizik, ndotja e ajrit, si edhe sëmundje si hipertensioni, diabeti dhe kolesteroli i lartë, janë ndër faktorët kryesorë që rrisin rrezikun.

Udhëzimet e reja rekomandojnë ushtrimin e rregullt fizik, stimulimin e trurit me aktivitete njohëse, pjesëmarrjen në aktivitete sociale, një ushqyerje të shëndetshme, lënien e duhanit, kufizimin e alkoolit dhe uljen e ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit.

Po ashtu, theksohet rëndësia e trajtimit të sëmundjeve kardiometabolike dhe përdorimit të aparateve të dëgjimit kur ato janë të nevojshme.

Nga ana tjetër, OBSH nuk rekomandon përdorimin e vitaminave B dhe E, acideve yndyrore omega-3, multivitaminave apo suplementeve minerale për parandalimin e demencës, përveç rasteve kur është konstatuar mungesë e tyre, transmeton ATSH.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, vendet kanë tashmë në dispozicion rekomandime të qarta dhe të mbështetura në prova shkencore, të cilat mund të zbatohen menjëherë për të mbrojtur shëndetin njohës të popullatës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026