Shutanovac: Dialogu Strategjik, lidhja më e fortë e Serbisë me SHBA-në në 145 vjet
Ballkani
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Shutanovac: Dialogu Strategjik, lidhja më e fortë e Serbisë me SHBA-në në 145 vjet
19/07/2026 - 18:01
Linku u kopjua

Serbia ka vazhduar edhe të dielën të lëvdohet për nismën e saj të Dialogut Strategjik me Amerikën.

Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Dragan Shutanovac, ka vlerësuar se ky zhvillim përbën një moment të rëndësishëm diplomatik, i cili, sipas tij, do të ketë ndikim afatgjatë në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Në një artikull autorial të botuar në të përditshmen serbe “Politika”, ai thekson se, për herë të parë në 145 vjet marrëdhënie diplomatike, Serbia dhe SHBA-ja po krijojnë një kornizë institucionale për trajtimin e çështjeve politike, të sigurisë, ekonomike dhe teknologjike në nivelin më të lartë.

I dërguari i Aleksandar Vuçiq në Uashington vlerëson se ky mekanizëm shënon hyrjen e marrëdhënieve dypalëshe në një fazë të re, ku “bashkëpunimi nuk do të mbështetet vetëm në iniciativa të rastësishme politike, por në dialog të rregullt, projekte të përbashkëta dhe planifikim strategjik afatgjatë”.

Sipas Shutanovacit, formati i dialogut strategjik u rezervohet një numri të kufizuar shtetesh “dhe tregon se Uashingtoni e sheh Serbinë si partner me të cilin dëshiron të ndërtojë bashkëpunim të vazhdueshëm, e jo vetëm në periudha krizash”.

Ai thekson se arritja e këtij niveli bashkëpunimi është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në, si dhe punës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Ambasadës serbe në Uashington, të cilat, sipas tij, kanë zhvilluar kontakte intensive me institucionet amerikane për realizimin e kësaj nisme.

Shutanovac shton se, me mbështetjen e partnerëve në SHBA, ideja e Dialogut Strategjik është bërë pjesë e agjendës zyrtare të politikës së jashtme të të dyja vendeve.

Ambasadori serb në SHBA vlerëson se suksesi i Dialogut Strategjik nuk do të matet me numrin e takimeve apo dokumenteve të nënshkruara, por me rezultatet konkrete, si investimet e reja, partneritetet teknologjike dhe nismat e përbashkëta politike. Sipas tij, nëse procesi zhvillohet sipas pritjeve, ai mund të shndërrohet në një nga mekanizmat më të rëndësishëm të politikës së jashtme të Serbisë për forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në dhe tërheqjen e investimeve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, drejtuan më 17 korrik në Uashington raundin e parë të Dialogut Strategjik ndërmjet vendeve që ata përfaqësojnë.

“Dialogu Strategjik sinjalizoi synimin e përbashkët për forcimin e partneritetit ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh për promovimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit, në vitin kur dy vendet shënojnë 145-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit për këtë ngjarje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë në plan një dialog të tillë streategjik edhe me Kosovën. Por, gjithcka në lidhje me këtë u pezullua për një kohë të pacaktuar, më 12 shtator 2025, për shkak të shqetësimeve të SHBA lidhur me veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë paraqitur sfida për përparimin e arritur ndër vite”, ishte thënë në njoftimin e ambasadës amerikanë në Prishtinë, atë ditë. “Dialogu Strategjik ishte menduar të forconte lidhjet ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe atij të Kosovës. Shpresojmë që këto përpjekje të mund të vazhdojnë në të ardhmen, kur të krijohen kushtet e përshtatshme. E dimë se ky është një objektiv që gëzon prioritet për qytetarët e Kosovës”.

Qeveria e Kosovës kishte thënë se të gjitha veprimet që kishte bërë, e në të cilat aludoi ambasada, ishin të ligjshme dhe kushtetuese, dhe se ato, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

“Stabiliteti që gëzojmë sot është rezultat i natyrshëm i sundimit të ligjit dhe rendit publik. Në Kosovë kurrë nuk ka pasur më shumë sundim ligji e luftim krimi e korrupsioni në gjithë territorin e Kosovës. Në të kaluarën, stabiliteti është synuar në kurriz të sundimit të ligjit dhe rendit publik, rrjedhimisht kemi pasur stabiliteti të rrejshëm. Kjo është dëshmuar më së miri në ngjarjet dhe protestat e dhunshme të majit të vitit 2023 në të cilat individë dhe grupe kriminale nuk kursyen as pjesëtarët e KFOR-it dhe të EULEX-it në sulmet e tyre”, pati shkruar zëdhënëse i i qeverisë, Përparim Kryeziu. “Ndërkaq sulmi terrorist dhe paramilitar në Banjskë në shtator të po atij vitit, me përfshirjen e drejtpërdrejt të shtetit të Serbisë, e ka shpërfaqë para të gjithë botës se kush dhe ku në fakt është burimi i destabilitetit në rajon. Shprehim bindjen tonë të thellë se Republika e Kosovës është partneri më serioz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon”.  /KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026