Mbretëria e Bashkuar është gati të ketë kryeministrin e saj të shtatë që nga 23 qershori i vitit 2016, kur vendi pati votuar me 52% kundrejt 48% për t’u larguar nga Bashkimi Evropian pas më shumë se katër dekadash anëtarësim. Kryeministri konservator David Cameron, i cili thirri referendumin për këtë çështje, por I cili bëri fushatë për qëndrimin e Britanisë në BE, dha dorëheqje të nesërmen.
Pasardhësit e tij janë përballur, kryesisht pa sukses, me pasojat e kësaj ndarjeje. Më i fundit është kryeministri laburist Keir Starmer, i cili njoftoi të hënën se do të largohej nga posti pas dy vitesh të karakterizuara nga një ekonomi e ngadaltë, një qeveri jofunksionale dhe një elektorat i përçarë e i zhgënjyer – trashëgimi që, të paktën pjesërisht, lidhen me Brexit-in.
Fushata për Brexit kanalizoi pakënaqësinë
Mbështetësit e Brexit-it premtuan se largimi nga blloku politik dhe ekonomik, me atëherë 28 anëtarë, do t’i mundësonte Britanisë të “rimarrë kontrollin” mbi ligjet, ekonominë dhe kufijtë e saj.“Ne mund t’i shohim livadhet e ndriçuara nga dielli përtej. Besoj se do të ishim të çmendur të mos e shfrytëzonim këtë mundësi që vjen vetëm një herë në jetë për të kaluar përmes asaj dere”, deklaroi Boris Johnson, një nga figurat kryesore të fushatës për Brexit, i cili më vonë u bë kryeministër.

Margaret MacMillan, profesoreshë e historisë në Universitetin e Torontos, tha se Brexit-i u nxit nga një kombinim motivesh, përfshirë nostalgjinë “për një të kaluar të imagjinuar”.
Realiteti i ashpër shpejt u përplas me premtimet ambicioze të mbështetësve të Brexit-it për kontroll të emigracionit, marrëveshje tregtare, më shumë fonde për shërbimet publike dhe fundin e rregulloreve të ndërlikuara që vinin nga Brukseli.
Kryeministrja Theresa May, pasardhëse e Cameronit, dha dorëheqje në vitin 2019 pasi nuk arriti të sigurojë kushte largimi të pranueshme për Parlamentin e përçarë.
May u pasua nga Boris Johnson, i cili premtoi se do ta “përfundonte Brexit-in” dhe arriti të sigurojë një marrëveshje minimale tregtare pas negociatave që i futën marrëdhëniet Britani-BE në një periudhë të ftohtë.
Starmer premtoi një “rifillim” të marrëdhënieve, por refuzoi të shqyrtonte rikthimin në tregun e përbashkët evropian, i cili garantonte tregti pa tarifa dhe barriera të tjera.
Ndërsa ai largohet nga pushteti, Brexit-i mbetet ende një çështje e papërfunduar.

Historiani Anthony Seldon tha se Cameron thirri referendumin e vitit 2016 me shpresën se do t’i jepte fund debateve për marrëdhëniet me Evropën, të cilat prej kohësh kishin përçarë Partinë Konservatore. Por kjo nuk ndodhi.
Edhe Partia Laburiste, megjithëse shumë më proevropiane, mbetet e ndarë mes atyre që duan afrimin ose rikthimin në BE dhe drejtuesve si Starmer, të cilët nuk duan të rihapin plagët e vjetra.
Dhjetë vjet më vonë, miliona votues kanë braktisur dy partitë kryesore për alternativa të tjera, si Partia e Gjelbër dhe Reform UK e ekstremit të djathtë, e udhëhequr nga Nigel Farage.
Ekonomia britanike ka hasur vështirësi gjatë dekadës së fundit, ndërsa bizneset janë përballur me barriera të reja tregtare ndaj fqinjëve më të afërt. Megjithatë, Brexit-i nuk është shkaku i vetëm i rritjes së ulët ekonomike. Pandemia COVID-19, lufta Rusi-Ukrainë dhe lufta me Iranin kanë luajtur gjithashtu rol.
Brexit-i nuk e zbuti debatin për emigracionin; përkundrazi, ai është bërë edhe më i ashpër. Migrimi neto u rrit pas Brexit-it në më shumë se 900 mijë persona në vitin 2023, para se të binte në 171 mijë vitin e kaluar.
Cinizmi është shtuar dhe besimi te politikanët ka rënë ndjeshëm. Në vitet e fundit, grupe agitatorësh kanë nxitur dhunë në rrugë kundër emigrantëve pas krimeve të kryera ose të raportuara gabimisht si të kryera prej tyre.

A janë penduar britanikët për Brexit? “Ashtu-ashtu”
Sondazhet sugjerojnë një shkallë të caktuar “pendese për Brexit-in” (“Bregret”) lidhur me zgjedhjen e bërë një dekadë më parë. Një anketë e fundit e Ipsos-it tregoi se 52% e britanikëve do të dëshironin rikthimin në BE, ndërsa 33% janë kundër.
Por Brexit-i mbetet një fushë e minuar politike ku pak politikanë guxojnë të hyjnë. Edhe nëse Britania do të dëshironte të rikthehej, rruga drejt një BE-je tashmë të kujdesshme do të ishte e gjatë.
“Diçka kronike, në këtë rast ndoshta jo e pashërueshme”, tha ai. “Por problemi është se nuk kanë dëshirë të shkojnë te mjeku, sepse e dinë se nuk do të jetë aspak e këndshme”. (Marrë nga AP)