12 gjyqtarë ia mësyjnë pozitës për anëtarë në KGJK
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
12 gjyqtarë ia mësyjnë pozitës për anëtarë në KGJK
Dymbëdhjetë gjyqtarë të Gjykatave Themelore në Kosovë kanë paraqitur kandidaturat e tyre për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), raporton KosovaPress.
Kjo u bë e ditur në mbledhjen e sotme të Këshillit Gjyqësor me ç’rast u caktuan edhe datat për mbajtjen e proceseve zgjedhore për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të këtij institucioni nga gjykatat themelore të vendit.
Kandidatët janë Agron Maxhuni gjyqtar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Atdhe Berisha gjyqtar në Prizren, Besnik Shala gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë, Blerim Halimi gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Diora Bajrami gjyqtare në Prizren, Donikë Dobruna gjyqtare në GjTh në Prishtinë, Gentiana Shabani gjyqtare në Gjykatën Themelore në Gjilan, Ilir Bytyqi dhe Mimoza Maloku-Shabani janë kandidatë nga Gjykata Themelore në Ferizaj, Musë Povataj nga GjTh në Pejë , Valentina Sopjani gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kandidate është edhe Violeta Namani Hajra po ashtu nga GjTh në Prishtinë.
Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ahmet Imani tha se të gjithë këta kandidatë kanë plotësuar kriteret sipas rregullores.
“Konkursi është shpallur më 15 maj i cili ka zgjatur deri më 2 qershor, kemi pranuar 12 aplikime nga gjykatat themelore. Gjykata Themelore në Gjakovë nuk ka pas të drejtë aplikimi meqenëse e kanë përfaqësuesin e tyre këtu gjyqtarja Mirjetë, po ashtu vlen të theksohet se nga Gjykata Administrative dhe dhomat e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale nuk kemi pas aplikacione... Pas shqyrtimit të dokumentacionit bazuar në rregulloren u konstatua se të gjithë kandidatët i plotësojnë kriteret sipas rregullores”, tha ai.
16 qershor është planifikuar si datë për zgjedhjet të organizohen në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ndërsa, më 17 qershor në Gjilan e Ferizaj, kurse më 18 qershor zgjedhjet do të organizohen në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe Pejë, kurse më 19 qershor është planifikuar mbajtja e procesit zgjedhor në Prizren.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.