Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Begaj përgëzoi qytetarët e Kosovës për zhvillimin e një procesi zgjedhor të qetë, të rregullt dhe demokratik, duke vlerësuar se zgjedhjet dëshmuan edhe një herë forcën e institucioneve dhe kulturën demokratike të vendit.
Begaj theksoi se në këtë fazë është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të angazhohen me përgjegjësi dhe frymë konstruktive për të garantuar dialogun dhe kompromisin institucional, në funksion të stabilitetit dhe zhvillimit të mëtejshëm të Kosovës.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi politik dhe institucional është i domosdoshëm për përmbushjen e aspiratave të qytetarëve të Kosovës dhe për tejkalimin e sfidave të ardhshme.“Shqipëria do të vijojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj euroatlantik dhe europian”, ka deklaruar Begaj.