Instituti GAP dhe Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) kanë kërkuar tërheqjen e dispozitave që i konsiderojnë diskriminuese në Draft Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale të Komunës së Prishtinës, si dhe organizimin e një procesi të veçantë konsultimi publik për këtë dokument.
Përmes një reagimi të përbashkët, dy organizatat shprehën shqetësimin se disa dispozita të draft-rregullores rrezikojnë të cenojnë parimet e barazisë, proporcionalitetit dhe arsyeshmërisë në trajtimin e qytetarëve dhe subjekteve ekonomike.
“Këto masa krijojnë trajtim të pabarabartë ndërmjet kategorive të ndryshme të qytetarëve dhe bizneseve dhe rrezikojnë të cenojnë parimin e mosdiskriminimit”, thuhet në reagim.
GAP dhe KLGI rikujtojnë se Prishtina është e vetmja komunë në Kosovë që përfiton grant shtesë për shkak të statusit të Kryeqytetit, duke marrë rreth 20 milionë euro në vit nga buxheti shtetëror.Dy organizatat i kanë bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të heqë dorë nga dispozitat që prodhojnë trajtim diskriminues ose përjashtues, të organizojë konsultim publik të ndarë dhe të strukturuar sipas grupeve të prekura, si dhe të sigurojë arsyetim të qartë dhe analizë të ndikimit për ndryshimet e propozuara.
Ata vlerësojnë se rregulloret komunale duhet të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke garantuar trajtim të barabartë për qytetarët dhe bizneset.
Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Inovacionit në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha bëri të ditur dje se në këtë fazë pritet që vetëm zona qendër të ketë një taksë për hyrje të veturave që nuk janë në Prishtinë.