Shtetet e Bashkuara pritet të bëjnë ndryshime në kontributin e tyre në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, në kuadër të një procesi më të gjerë të rishikimit të pranisë ushtarake të Aleancës në vend.
Një zyrtar i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) tha për REL se vendimi bazohet në rishikimin vjetor të bërë nga Komanda Supreme e Forcave Aleate në Evropë (SHAPE), e cila rekomandoi përshtatjen e trupave në terren, transmeto KosovaPress.
Ai shtoi se SHBA-ja vazhdon ta konsiderojë misionin një komponent kyç të stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor, pa dhënë detaje për natyrën apo përmasën e ndryshimeve të mundshme.
NATO: Prani më e vogël graduale në KFORREL kërkoi sqarime nga selia e Aleancës në Bruksel për treguesit konkretë që mbështesin këtë vlerësim, veçanërisht në veri të Kosovës, ku situata mbetet e brishtë.
Në përgjigje, një zyrtar i NATO-s tha se Aleanca nuk komenton çështje operative apo të inteligjencës, por theksoi se situata në terren monitorohet vazhdimisht dhe nga afër përmes mjeteve të ndryshme, për të siguruar që misioni mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij.
As Ministria e Mbrojtjes e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
KFOR-i mbetet reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës si reagues i parë dhe misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, si reagues i dytë.
Misioni është përgjegjës për sigurinë përgjatë kufirit me Serbinë, ndërsa në pjesët e tjera të vijës kufitare përgjegjësinë e ka Policia e Kosovës.
Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht rreth 590 ushtarë të dislokuar në kuadër të KFOR-it - një ulje e ndjeshme krahasuar me mbi 5.000 trupat e vendosura në vitin 1999, kur misioni u krijua pas përfundimit të luftës.
Që nga ajo kohë, SHBA-ja ka edhe kampin Bondsteel pranë Ferizajt, që konsiderohet baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan.
Gjatë një vizite në Varshavë atëkohë, Hegseth tha se e ardhmja e pranisë amerikane do të varet nga kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike të SHBA-së.
Megjithatë, një zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes tha për Radion Evropa e Lirë asokohe se nuk ka ndryshime në pozicionimin aktual të forcave amerikane.Edhe atëherë, një zyrtar i Pentagonit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se nuk ka ndryshime në dislokimin e forcave amerikane.
Sipas Komandës Evropiane të SHBA-së, numri i përgjithshëm i forcave amerikane në Evropë është luhatur mes 75.000 dhe 105.000 që nga viti 2022.
Në fillim të majit, SHBA-ja njoftoi tërheqjen e 5.000 trupave nga Gjermania brenda 6-12 muajve të ardhshëm.
“Reduktimi i SHBA-së në KFOR do të ishte destabilizues”
Një raport i Departamentit amerikan të Shtetit, i publikuar në fund të muajit të kaluar, e përshkroi praninë e SHBA-së në KFOR si komponent kyç për garantimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë.
Ai shton se SHBA-ja është thelbësore për suksesin e KFOR-it dhe se diskutimet për ndryshime në politikën ndaj Kosovës janë “shqetësuese”, pasi mund të dobësojnë parandalimin dhe të nxisin Serbinë të testojë vendosmërinë e SHBA-së dhe të Evropës.
Montgomery thekson se ruajtja e niveleve aktuale të trupave amerikane në KFOR është një masë me kosto të ulët, por me rëndësi të lartë strategjike, ndërsa çdo zvogëlim do të sillte, sipas tij, “kohë më të vështira” për Kosovën dhe rajonin.
Ai shton se Kosova duhet ta forcojë partneritetin me Shtetet e Bashkuara duke thelluar bashkëpunimin ekonomik, duke avancuar pavarësinë energjetike dhe duke lobuar vazhdimisht për një rol të qëndrueshëm dhe të fuqishëm amerikan në KFOR. Në të njëjtën kohë, ai thekson se vendi duhet të zgjidhë edhe bllokadën e brendshme politike dhe të dëshmojë stabilitet institucional dhe qeverisje demokratike.
Për Erin Bancin, eksperte e sigurisë në Institutin Atlas për Çështje Ndërkombëtare, reduktimi i paralajmëruar i trupave të NATO-s në Kosovë, veçanërisht i atyre amerikane, pasqyron një qasje më të gjerë të SHBA-së për ndarjen e barrës me aleatët dhe përqendrimin në prioritete të tjera strategjike, si Indo-Paqësori.“Çelësi do të jetë mënyra se si do të menaxhohet kjo tërheqje. Varet nëse do të jetë graduale, e koordinuar me aleatët dhe e shoqëruar me një angazhim të fortë diplomatik, apo nëse do të jetë një reduktim i nxituar dhe i keqkomunikuar, i cili rrezikon të krijojë një boshllëk sigurie, të cilin Rusia ose aktorë të tjerë të jashtëm mund ta shfrytëzojnë”, thotë Banc.