Agjencia Amerikane për Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit (CBP) njoftoi të martën se ka lëshuar një urdhër për ndalimin e dërgesave të bakrit dhe produkteve të bakrit që prodhohen në Serbi nga kompania kineze Zijin Copper D.O.O., për shkak të dyshimeve se në procesin e prodhimit është përdorur puna me detyrim.
Vendimi hyn menjëherë në fuqi dhe personeli i CBP-së në të gjitha pikat hyrëse në Shtetet e Bashkuara do të ndalojë dërgesat e produkteve të bakrit të prodhuara në objektet e Zijin-it në Serbi, u tha në njoftim.
“Prodhuesit amerikanë përballen me konkurrencë të pandershme kur kompanitë e huaja i ulin kostot duke përdorur punë me detyrim”, deklaroi ndihmëskomisionerja ekzekutive e Zyrës për Tregti të CBP-së, Susan S. Thomas, shkruan REL, transmeton KosovaPress.
Në njoftim thuhet po ashtu se CBP-ja ka analizuar deklarata të punëtorëve, fotografi, shënime nga terreni të grupeve të fokusit, mesazheve tekstuale, raporte të organizatave joqeveritare që janë të qasshme për publikun, artikuj medialë dhe kërkime akademike.
“Kur merren së bashku, këto prova treguan se punëtorët në kompaninë Zijin Serbia janë të ekspozuar ndaj gjashtë treguesve të punës me detyrim të përcaktuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës: shfrytëzimit të cenueshmërisë, mosdhënies së pagave, frikësimit dhe kërcënimeve, kufizimit të lirisë së lëvizjes, mbajtjes së dokumenteve personale dhe orëve të tepërta të punës jashtë orarit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, kompania kineze Zijin është përballur më parë me akuza për ndotje të mjedisit.