Derisa në Kosovë po përkujtohen krimet serbe gjatë luftës së fundit, Kuvendi i Serbisë ditë më parë, përmes një ekspozitë kushtuar kriminelit të luftës Obrad Stevanoviqit, një gjeneral i policisë serbe dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Slobodan Milosheviqit. Nga organizatat për të drejtat e njeriut kjo ekspozitë po cilësohet si përpjekje për revizionizëm historik dhe shtrembërim të fakteve të luftës në Kosovë.
Në Kuvendin e Serbisë është hapur ekspozita kushtuar Njësive Speciale të Policisë dhe komandantit të tyre, Obrad Stevanoviq. Pamjet nga hapja e saj kanë treguar edhe ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ish-zëdhënës i Slobodan Milosheviqit, duke shtrënguar duart dhe duke u buzëqeshur me veteranë, një gjest që është parë si anashkalim i fakteve të dokumentuara për krimet e luftës.
Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq thekson se parlamenti nuk duhet të shërbejë si hapësirë për rehabilitimin e narrativave mbi njësi dhe komandantë që janë dënuar nga Tribunali i Hagës.
“Nuk përmenden operacionet në zonën e Gjakovës, ku u vranë qindra civilë shqiptarë, as varrezat masive në Batajnicë apo krimet në Mejë, Korenicë dhe Beleg. Kjo nuk është lëshim, por mohim institucional”, thekson ajo.
Nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut vlerësojnë hapjen e ekspozitës si problematike në kontekstin e përballjes me të kaluarën.