Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vlerësuar modelin e zhvillimit turistik të Portugalisë në zonën e mbrojtur të Ria Formosa-s, duke e cilësuar atë si dëshmi se mbrojtja e natyrës dhe zhvillimi ekonomik mund të ecin paralelisht.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se Algarve, dikur një rajon me ekonomi të bazuar kryesisht në bujqësi dhe peshkim, u shndërrua në një nga destinacionet më prestigjioze të Evropës falë investimeve në turizmin luksoz dhe me vlerë të lartë.
“Kjo histori tregon se pyetja nuk është nëse natyra dhe zhvillimi mund të bashkëjetojnë, por nëse kemi vizionin, dijen dhe vullnetin për t’i bërë ato të bashkëjetojnë”, shkroi Rama.
“Shqipëria e rilindur turistike do të hyjë me se s’bën në ligën e kampionëve të turizmit botëror dhe Europa e bota do të na vlerësojë përfundimisht si vend i bekuar, jo i mallkuar”, deklaroi kryeministri.