Serbia, përkrah Rusisë, Kinës dhe Bjellorusisë në varrimin e Khameneit
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Serbia, përkrah Rusisë, Kinës dhe Bjellorusisë në varrimin e Khameneit
Ali
06/07/2026 - 20:53
Linku u kopjua

Ndërsa shumica e zyrtarëve evropianë munguan në ceremoninë mortore të udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, Serbia dërgoi në Teheran ministrin Boris Bratina si të dërguar të Qeverisë.

Kështu, në ceremoninë mortore të liderit iranian, i cili u vra në ditën e parë të luftës amerikano-izraelite kundër Iranit, më 28 shkurt, Serbia kishte përfaqësuesin e saj përkrah Rusisë, Bjellorusisë, Armenisë, Gjeorgjisë, Turqisë, Kinës, Pakistanit, Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera, shkruan REL, përcjell KosovaPress.

Në llogarinë zyrtare të ministrit Bratina në Instagram u njoftua se ai kishte shkuar në Teheran si i dërguar i Qeverisë së Serbisë.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit e prezantoi atë si të dërguarin special të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vetë ministri Bratina tha se e “kishte për detyrë të shkonte” dhe se në Iran nuk kishte qenë “as për ta lavdëruar, as për ta kritikuar” pushtetin iranian.

Ky veprim, për të cilin autoritetet serbe nuk kanë shpjeguar publikisht se kush e ka miratuar dhe pse është bërë, vjen në kohën kur Beogradi përpiqet t’i thellojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por, në të njëjtën kohë, vazhdon të refuzojë harmonizimin e politikës së tij ndaj Iranit me atë të Bashkimit Evropian.

“Mesazhi është se ata [zyrtarët serbë] vazhdojnë të luajnë në të gjitha anët”, vlerëson Vlladimir Megjak, nënkryetar i organizatës joqeveritare Lëvizja Evropiane në Serbi.

Qeveria e Serbisë dhe Presidenca nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se mbi çfarë baze ishte marrë vendimi për të dërguar një përfaqësues në ceremoninë mortore të liderit iranian.

Përndryshe, Beogradi zyrtar ka mbajtur marrëdhënie miqësore me regjimin iranian gjatë viteve të fundit.

Kjo ka ndodhur pavarësisht se Irani ka qenë nën sanksione ndërkombëtare, për shkak të programit të tij bërthamor, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe represionit ndaj protestuesve.

Uashingtoni, ndërkohë, i ka dhënë Teheranit “një javë kohë” për ceremoninë mortore, përpara rifillimit të bisedimeve indirekte për zbatimin e marrëveshjes kornizë të paqes.

Çfarë tha ministri Bratina?

Ministri serb i Informimit dhe Telekomunikacionit, Boris Bratina, tha për mediumin Insajder në Beograd se një ditë para udhëtimit nuk e dinte se do të shkonte në Teheran, por se më pas mori “njoftim, urdhër nga maja e pushtetit”.

Ai tha se pjesëmarrja e Serbisë në ceremoninë mortore nuk duhet parë si mbështetje për Iranin në konflikt, duke pasur parasysh marrëdhëniet e Serbisë me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, dhe shtoi se Serbia është një shtet neutral.

“Do të shkonim në shumë vende të botës nëse do të vritej ose varrosej një lider. Kështu e shoh edhe këtë rast”, tha Bratina.

Sipas tij, Irani është një vend mik i Serbisë edhe për shkak se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të cilën Beogradi vazhdon ta kundërshtojë.

Në llogarinë zyrtare të Bratinës në Instagram u publikua se ai u nënshkrua në librin e zisë dhe, në emër të Qeverisë dhe popullit të Serbisë, shprehu ngushëllime për popullin iranian.

Gjatë qëndrimit në Iran, Bratina u takua me ministrin iranian të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Sejed Satar Hashemi, si dhe me ministrin e Jashtëm, Abbas Araghchi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026