Prokuroria Themelore në Prishtinë bën të ditur se në vazhdën e hetimeve intensive lidhur me rastin për veprën penale ‘’Mashtrimi kompjuterik’’, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane, është mundësuar identifikimi dhe sekuestrimi i pasurisë që dyshohet se është përfituar përmes veprimtarive kriminale, transmeton KosovaPress.
Sipas njoftimit, si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga Prokurori i Shtetit, pasuria e sekuestruar, në vlerë rreth 100.000 (njëqind mijë) euro, dyshohet se buron nga veprimtaria e kundërligjshme e të dyshuarve. Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është lëshuar urdhër ndalues për këtë pasuri, për të cilin janë njoftuar edhe bankat komerciale në Kosovë.