Science: Nivelet e ulëta të testosteronit lidhen me rrezik më të madh për kancer
Shëndetësi
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Science: Nivelet e ulëta të testosteronit lidhen me rrezik më të madh për kancer
IMG_8704
18/07/2026 - 11:25
Linku u kopjua

Testosteroni i ulët mund të jetë një sinjal paralajmërues për rrezik më të lartë të kancerit te burrat, sipas “Science”.

Një studim ndërkombëtar sugjeron se nivelet shumë të ulëta të testosteronit te burrat, mund të lidhen me një rrezik më të lartë të diagnostikimit me kancer dhe humbjes së jetës si pasojë e tij.

Analiza përfshiu të dhënat e më shumë se 26 000 burrave nga 11 studime afatgjata të zhvilluara në Australi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë.

Shkencëtarët matën nivelet e testosteronit dhe hormoneve të tjera të lidhura me të në gjak, ndërsa pjesëmarrësit u ndoqën për vite me radhë, për të parë nëse zhvillonin kancer.

Rezultatet treguan se burrat me nivele shumë të ulëta të testosteronit, kishin më shumë gjasa të diagnostikoheshin me kancer dhe të vdisnin nga kjo sëmundje.

Sipas studiuesve, rreziku i vdekjes nga kanceri fillonte të rritej kur niveli i testosteronit binte nën 8,6 nmol/L, ndërsa rreziku për t’u diagnostikuar me kancer rritej kur ai zbriste nën 7,3 nmol/L.

Megjithatë, studiuesit vunë re një përjashtim të rëndësishëm:

kanceri i prostatës nuk lidhej me nivelet natyrale të testosteronit, duke sfiduar bindjen e përhapur se testosteroni i ulët ndikon drejtpërdrejt në këtë lloj kanceri.

Autorët theksojnë se, këto rezultate nuk provojnë se testosteroni i ulët shkakton kancer.

Sipas tyre, ai mund të jetë një tregues i një gjendjeje më të dobët shëndetësore, i inflamacionit kronik, obezitetit, diabetit ose faktorëve të tjerë që rrisin rrezikun për kancer.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se studimi nuk përbën arsye, për të marrë suplemente apo terapi me testosteron, pa këshillën e mjekut, pasi nevojiten vlerësime individuale dhe trajtimi hormonal, nuk është i përshtatshëm për çdo person.

Studimi u publikua në revistën shkencore “The Lancet Healthy Longevity” dhe u drejtua nga studiuesi Marriott me bashkëpunëtorët e tij, transmeton ATSh.

Ky studim është ndër kërkimet më të mëdha të bëra deri tani, për të parë nëse ekziston një lidhje mes niveleve të hormoneve mashkullore (sidomos testosteronit) dhe mundësisë që burrat të preken nga kanceri.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026