Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se në të ardhmen, misioni paqeruajtës i aleancës në Kosovë, KFOR, do të ketë deri në 3.500 trupa.
Rutte këtë deklaratë e bëri gjatë një konference për media në Bruksel, pasi u pyet lidhur me njoftimin e disa ditë më parë se aleanca ushtarake perëndimore synon të reduktojë numrin e trupave paqeruajtëse në Kosovë.
Ai tha se ky ndryshim që do të bëhet në NATO vjen pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë, duke e cilësuar si “lajm të mirë”.
“NATO dhe KFOR-i janë të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, tha komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Alexus G. Grynkewich.
“Është ky angazhim që ka çuar në rritjen e stabilitetit, teksa organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, shtoi ai.
“Bazuar në rishikimin më të fundit vjetor të Komandës Supreme të Forcave Aleate në Evropë, NATO-ja do të optimizojë pozicionimin e Forcës së Kosovës [KFOR]. Si rezultat, Komanda Evropiane e SHBA-së do të bëjë një përshtatje - në faza dhe të bazuar në vlerësim të rrezikut - të kontributit amerikan në KFOR, në përputhje me këtë rishikim të udhëhequr nga SHAPE”, tha zyrtari për REL-in.
Më 2023, për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, NATO kishte dislokuar afër 1.000 trupa shtesë në Kosovë.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë është vendosur më 1999 në vend. Nga afër 50.000 trupa sa ishin dislokuar në atë vit, pas përfundimit të luftës, në Kosovë aktualisht janë rreth 4.600 trupa paqeruajtëse të KFOR-it nga 31 vende të botës.