Jovanoviq: Serbët në Graçanicë po shantazhohen politikisht për ta mbështetur Listën Serbe
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Jovanoviq: Serbët në Graçanicë po shantazhohen politikisht për ta mbështetur Listën Serbe
Foto Ilustruese
Shumë qytetarë serbë po përballen me presion dhe shantazh politik. Kështu deklaoi të mërkurën Igor Jovanoviqit nga partia “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, e udhëhequr nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Në protestën që u mbajt një ditë më parë në Graçanicë në mbështetje të drejtorëve të institucioneve shëndetësore dhe arsimore të arrestuar nën dyshimin për ushtrim presioni ndaj votuesve, Jovanoviq tha se shumica e pjesëmarrësve nuk pajtohen me politikat e Listës Serbe, por janë detyruar të marrin pjesë në protestë.
“Pyes këta njerëz a kanë ardhur për të mbështetur 20 familje që kanë mbetur pa punë vetëm pse nuk e mbështesin Listën Serbe, apo kanë ardhur të mbështesin drejtorët që kanë zbatuar urdhra të paligjshëm... 90 për qind e këtyre njerëzve nuk pajtohen me atë politikë. Të gjithë janë të shantazhuar dhe janë thirrur nga shefat e tyre që të jenë prezentë”, ka thënë ai, transmeton KosovaPress.
Në anën tjetër, një punonjëse e Qendrës së Shëndetit në Graçanicë ka thënë se është larguar nga puna pas 35 vitesh shërbim, pa marrë asnjë shpjegim zyrtar.
Gordana Nedeljkoviq deklaroi se vendimi për largim iu dorëzua në fund të orarit të punës dhe se në dokument ishte përmendur “angazhimi politik” si arsye për shkarkimin.
Ajo mohoi të ketë qenë ndonjëherë pjesë e aktiviteteve politike dhe tha se dyshon se largimi mund të lidhet me faktin se bashkëshorti i saj punon në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, të drejtuar nga Nenad Rashiq.
“Kur pyeta për arsyet, askush nuk më dha sqarim të qartë”, u shpreh Nedeljkoviq.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka ndaluar disa persona serbë nën dyshimin për kërcënim dhe presion ndaj votuesve. Në mesin e tyre ka drejtorë institucionesh shëndetësore e arsimore ilegale, si dhe një asamblistë të Komunës së Graçanicës.