Në Tiranë u zhvillua pasditen e sotme protesta e 24-t kundër projektit të planifikuar në Zvërnec.
Qytetarët u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë.
Protestuesit vijuan thirrjet për “Shqipëri të re”, ndërkohë që pas himnit kombëtar, fjalën e morën përfaqësues të grupit organizator, të cilët deklaruan edhe njëherë kërkesat e artikuluara në protestën e djeshme nga Dritan Goxhaj.
Lika renditi si pikë të parë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor, ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
“Paralelisht, ne nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike”, tha ai.