Ukraina ka kryer, natën ndërmjet të enjtes dhe të premtes, sulmin më të madh me dronë ndaj Rusisë, prejse kjo e fundit pati nisur pushtimin e të parës, në shkurt të vitit 2022.
Shteti i Vladimir Putin, e konfirmoi se mbrojtja e vetë ajrore interceptoi (ndaloi) rrebeshin prej 660 dronëve të lëshuar nga shtetit që ka për president Volodymyr Zelenskyn, por nuk bëri me dije se sa fluturake të tilla patën sukses të qëllojnë caqet që i kishin targetuar.
Ataku më i madh ukrainas gjatë vitit të kaluar përfshinte 556 dronë dhe ndodhi më 17 maj, raporton AP, përcjellë KosovaPress.
Në përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e luftës së konsumimit me Rusinë, Ukraina prej muajsh po përdor dronë me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva prapa vijës së frontit dhe thellë brenda territorit rus, përfshirë objektet e prodhimit të naftës dhe infrastrukturën energjetike.Raportet e para për dëmet e shkaktuara nga sulmi i natës në Rusi ofruan pak informacion. Ministria ruse e Mbrojtjes zakonisht nuk bën të ditur objektivat e goditura nga dronët ukrainas dhe nuk publikon hollësi për dëmet.

Sulmet e suksesshme nxisin moralin në Ukrainë
Zelensky tha se gjatë samitit të fundit të G7-ës ka marrë premtime të tjera për mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, dhe shtoi se kjo ndihmë do ta ndihmojë vendin e tij të shtojë presionin ndaj Putinit për ta ulur atë në tryezën e negociatave.
Raportohet për goditje ndaj një fabrike kimike ruse
Në rajonin e Tulës, në jug të Moskës, një shtëpi private u dëmtua nga sulmi dhe një grua mbeti e plagosur, njoftoi guvernatori Dmitry Milyaev në një deklaratë të publikuar në internet, teksa nisën të dalin raportet e para për dëmet.
Media e pavarur ruse Astra raportoi se një fabrikë kimike dhe një hidrocentral në Novomoskovsk ishin goditur dhe kishin marrë flakë. Associated Press nuk arriti ta verifikonte në mënyrë të pavarur këtë informacion, ndërsa nuk pati asnjë konfirmim zyrtar.
Edhe kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, njoftoi se 47 dronë ukrainas u rrëzuan teksa po i afroheshin kryeqytetit rus. Ai nuk raportoi për viktima apo dëme materiale.

Dy persona u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën nga sulmet ruse në rajonin verilindor të Kharkivit gjatë 24 orëve të fundit, tha të premten kreu i administratës rajonale, Oleh Syniehubov.
Sipas tij, forcat ruse goditën qytetin e Kharkivit dhe 16 vendbanime të tjera në rajon, duke përdorur bomba të drejtuara nga ajri dhe dronë të llojeve të ndryshme.Zyrtarët ukrainas raportuan dëme në objekte energjetike, banesa dhe infrastrukturë tjetër civile në kryeqytetin Kiev, në rajonin jugor të Odesës dhe në rajonin verilindor të Sumyt.