Policia e Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh në mbarë vendin për shënimin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, duke afruar fëmijët me punën dhe misionin e institucionit të sigurisë.
Aktivitetet u zhvilluan në lokacione të ndryshme dhe përfshinë demonstrime të njësive policore, vizita, programe kulturore dhe shpërndarje dhuratash simbolike për fëmijët. Në këto aktivitete morën pjesë drejtuesit e lartë të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm, kolonel Gazmend Hoxha, si dhe personalitete të larta shtetërore, përfshirë kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Festimet vazhduan në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe në drejtoritë rajonale, ku nxënës dhe fëmijë nga qendra kulturore prezantuan valle, poezi dhe pika muzikore. Një atmosferë të veçantë krijuan edhe demonstrimet e njësive speciale, përfshirë lëshimin me litar nga ndërtesa, operimin me dronë policorë, si dhe paraqitjen e njësisë së motoristëve dhe automjeteve policore.





