Nga kjo e martë e 5 majit, sistemi gjyqësor në Kosovë është forcuar edhe me funksionalizimin e Gjykatës Administrative, një institucion ky i ri i specializuar që do të trajtojë konfliktet administrative dhe kontestet e punës në sektorin publik.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, që mori pjesdë në hapje, deklaroi se fillimi i punës së kësaj gjykate është i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht për qytetarët.
“Vendimet administrative prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Kosovës. Kur e kemi nisur këtë punë në Ministrinë e Drejtësisë, kemi pasur para vetes një problem të njohur, shteti vendos kurse qytetari shpesh detyrohet të presë gjatë për ta kuptuar nëse vendimi i një institucioni është i drejtë apo i ligjshëm. Në një Republikë demokratike e vendimi i administratës nuk mund ta lë qytetarin pa rrugë”, tha ajo. “Edhe sot në një kapacitet tjetër, e shoh këtë gjykatë me të njëjtën bindje, reforma nuk matet me momentin kur shkruhet në ligj por atëherë kur qytetari fillon ta ndjej në jetën e vet. Me hapjen e Gjykatës Administrative uroj fort që qytetari ta ndjej dorën e shtetit dhe uroj që çdo dorë që prek jetën e qytetarit të jetë e kujdesshme dhe e përgjegjshme”.
Zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Arjeta Sadiku theksoi se Gjykata Administrative do të funksionojë si një mekanizëm i pavarur, profesional dhe efikas për shqyrtimin e çështjeve administrative dhe të marrëdhënieve të punës.E ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla meritat për hapjen e kësaj gjykate ia adresoi edhe ushtrueses aktuale të detyrës së presidentes, Albulena Haxhiut, meqë gjatë mandatit të saj si ministre e Drejtësisë u finalizua ligji për Gjykatën Administrative.
Ajo tha se tashmë pret rezultate konkrete pasi në kjo gjykatë bartë barrë të madhe të lëndëve.
“ Do t’i trajtoj të gjitha konfliktet administrative natyrisht përveç atyre që janë në juridiksion të Gjykatës Supreme dhe të gjitha kontestet e punës ndërmjet individëve dhe organeve publike me juridiksion në tërë territorin e Kosovës. Gjykata Administrative do të jetë e organizuar në katër departamente të veçanta: departamenti fiskal, departamenti për kontestet e punës, departamenti për skemat sociale dhe pensionale të financuara nga shteti si dhe departamenti i përgjithshëm”, deklaroi ai. “Gjykata sipas organogramit të miratuar nga KGJK do të ketë 23 gjyqtarë së bashku me kryetarin e gjykatës aktualisht me rastin e funksionalizimin e gjykatës nga dita e sotme 15 gjyqtarë janë transferuar dhe kanë filluar punën ndërsa pjesa tjera e gjyqtarëve do ta fillojnë punën nga data 1 korrik 2026”.
Në inaugurimin e Gjykatës Administrative ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Misioni i EULEX-it dhe Zyra e Bashkimit Evropian.
Ligji për Gjykatën Administrative ka hyrë në fuqi më 6 shkurt 2026./B.Ibishi/