Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë ka bërë publike rezultatet e punës për muajin maj 2026, ku është theksuar një fluks i jashtëzakonshëm udhëtarësh në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, si dhe rritje e kontrolleve dhe goditjes së paligjshmërisë.
Sipas drejtorit Ermal Haxhi, gjatë muajit maj janë përpunuar 1.234.500 shtetas dhe 7.480 avionë në pikën kufitare të Rinasit. Brenda 24 orëve është regjistruar fluks rekord prej 47.358 pasagjerësh dhe 270 avionësh, si tregues i rritjes së ndjeshme të lëvizjeve në fillim të sezonit turistik.
Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar dhe referuar në Prokurori 34 vepra penale me 36 autorë, me një shkallë zbulueshmërie 100%.
Në fushën e krimeve doganore janë konstatuar raste kontrabande, mosdeklarimi i valutës dhe fshehje të ardhurash, ku janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash, përfshirë euro, dollarë dhe paund, si dhe mallra të dyshuara kontrabandë si bizhuteri dhe veshje.Gjithashtu, janë trajtuar raste të mbajtjes pa leje të municionit luftarak, si dhe incidente të tjera penale si prishje e rendit publik dhe dëmtime me dashje.
Në fushën e migracionit, gjatë majit janë regjistruar 1.716 aplikime për leje qëndrimi dhe leje unike nëpërmjet e-Albania, me rritje prej 23% krahasuar me vitin e kaluar. Sipas autoriteteve, ndryshimet ligjore dhe përmirësimet në sistem kanë ulur ndjeshëm kohën e përpunimit, duke mundësuar pajisjen me leje provizore brenda 24 orëve.
Në aspektin administrativ janë konstatuar 115 shkelje të ligjit për kufirin dhe të huajt, kryesisht për tejkalim të afatit të qëndrimit në territorin e Shqipërisë.