Avokati Gent Gjini ka dorëzuar ankesë në Prokurorinë Speciale për hedhjen e kësaj të fundit të kallëzimit penal ndaj ish-kryetarit të Kuvendit, Dimal Bashës, në lidhje me deklaratat e dhëna për rastin e Astrit Deharit.
Gjini tha se Prokuroria Speciale kundërligjshëm e ka hedhur poshtë kallëzimin penal ndaj Bashës, duke mos e trajtuar në mënyrë objektive dhe të drejtë çështjen që lidhet me Bashën, i cili në postin e kryetarit të Kuvendit, aso kohe, gjatë përvjetorit të fundit të vdekjes së Astrit Deharit, kishte deklaruar se rasti “Dehari” është më i keq se krimet që i ka bërë kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi mbi popullin shqiptar.
“Pa dyshim konsideroj se ankesën që do ta parashtrojmë në Prokurorinë Speciale që kjo do të kalojë edhe në Apel, konsideroj se me një vlerësim të drejtë objektiv, kjo çështje të rikthehet në procedurë, të thirret Dimal Basha dhe të shikojmë se në çfarë forme e ka bërë një deklarim të tillë dhe pse të martirizohet figura e Astrit Deharit dhe pse të bëhet një krahasim më krimet serbe duke aluduar në të se krimi i Millosheviqit është më i pakët se sa ajo që e peshon rasti i Astrit Dehari. Ankesën e kemi parashtruar dhe presim që Prokuroria e Apelit ta kthejë çështjen në riprocedurë dhe unë do ta njoftojë edhe presidentin/en e ardhshme që do të jetë, do t’i njoftojë instancat e tjera ligjore dhe do të dalim në protestë edhe me organizatat e dala nga lufta që Dimal Basha të dënohet për gjuhen fyese të nxitjes së urrejtjes kombëtare që e ka bërë dhe në anën tjetër ky person të mos jetë i denjë që të përfaqësojë poste ministrore”, tha ai.
Në përvjetorin e fundit të vdekjes së ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Deharit, Dimal Basha në cilësinë e kryetarit të Kuvendit pati deklaruar se “s’kemi pritë që të vuajmë ne më keq se që kanë vuajtur shqiptarët në regjimin fashist të Millosheviqit, kjo ka ndodhë në rastin e Astrit Deharit”.