Sali Berishës i është hequr zyrtarisht statusi “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, sipas informacioneve të publikuara nga Lapsi.al dhe burimeve pranë Partisë Demokratike.
Deri tani Ambasada e Shteteve të Bahskuara të Amerikës në Shqipëri nuk është deklaruar lidhur me këtë çështje. Njoftim s’ka as nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Por vetë Berisha para pak minutave ka shkruar në Facebook “Unë erdha! U krye!”.
Berisha dhe familja e tij u shpallën “non grata” në maj të vitit 2021 nga ish-Sekretari i Shtetit, Antony Blinken. Në vendimin e tij, Blinken deklaronte se veprimet e Berishës “minojnë demokracinë në Shqipëri” dhe lidhen me “përfshirjen në korrupsion domethënës”.
Ky vendim pati shkaktuar një nga përplasjet më të ashpra politike në Shqipëri, duke trazuar edhe zhvillimet e brendshme të Partisë Demokratike.Kjo deklaratë u bë para zgjedhjeve dhe nga shumë kundërshtarë të PD ajo u konsiderua si një akt që ishte prodhuar nga kompania lobuese e La Civitas.
Në qendër të polemikave gjatë kësaj periudhe ishte edhe ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila mbrojti publikisht vendimin e vitit 2021.