Raporti i ri ndërkombëtar, Serbia zbret nga “demokraci e dëmtuar” në autokraci
Demokracia në Serbi ka vazhduar të përkeqësohet, me një rënie të ndjeshme të kushteve zgjedhore, sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave, si dhe me rritje të polarizimit politik. Sjellja autokratike e qeverisë ka gërryer besimin në proceset demokratike, duke shkaktuar paqëndrueshmëri politike dhe sociale, duke kufizuar debatin publik dhe duke minuar mundësinë e ndryshimeve demokratike në qeveri.
Këto janë të gjetura të raportit Indeksi i Transformimit i Bertelsmann Stiftung (BTI), i Institutit V-Dem, një indeks tjetër që diagnostikon prishjen e vazhdueshme demokratike në Serbi, transmeton KosovaPress.
“Çështja e pazgjidhur e Kosovës mbetet gjithashtu një burim paqëndrueshmërie dhe mobilizimi nacionalist”, thuhet po aty.
E, lidhur me këto ka reaguar profesori i shkencave politike nga Serbia, Filip Ejdus. Duke potencuar se statusi Serbisë është ulur nga “demokraci e mangët” në “autokraci të moderuar”, Ejdus thotë se një gjë e tillë është e trishtueshme, por e vërtetë.
“Pas shumë vitesh radhazi të regresit, në vitin 2026 statusi i Serbisë është ulur nga ‘demokraci e mangët’ në ‘autokraci e moderuar’.
Po, Serbia nuk konsiderohet më demokraci. E trishtueshme, por e vërtetë. Ne po bëjmë më të mirën këtu në vend për t’i rezistuar tiranisë dhe për të rikthyer lirinë, por kemi nevojë që edhe komuniteti ndërkombëtar demokratik ta marrë këtë seriozisht.
Konsolidimi i autoritarizmit në Serbi nuk është i dëmshëm vetëm për ne që jetojmë në këtë vend, por edhe për Ballkanin dhe Evropën në tërësi!”, ka shkruar ai në X.
Ndryshe, sipas raportit në fjalë, sistemi politik serb vazhdon të dominohet nga presidenti serb Aleksandër Vuciq dhe partia e tij Progresive Serbe (SNS).
“Presidenti kontrollon qeverinë, parlamentin dhe gjyqësorin, pavarësisht rolit të tij kryesisht ceremonial sipas kushtetutës. Parlamenti kryesisht miraton legjislacion në përputhje me vullnetin e presidentit. Punimet e tij shoqërohen me përplasje të ashpra politike midis shumicës besnike ndaj presidentit dhe opozitës, që shpesh përfundojnë me fyerje dhe përplasje fizike. Manipulimi i zgjedhjeve nga regjimi është intensifikuar vitet e fundit, gjë që ka çuar në bojkot të ri nga opozita. Qeveria abuzon në mënyrë sistematike me procesin zgjedhor, për shembull duke ndarë zgjedhjet lokale në dy pjesë pa justifikim, me sa duket për të mundësuar migrimin e paligjshëm të votuesve – pra regjistrimin e votuesve në vende ku nuk banojnë, për të ndikuar në rezultatet”, thuhet po aty.
Raporti thekson se ekonomia është stabilizuar disi pas një periudhe të trazuar të shoqëruar me inflacion të lartë, por rritja mbetet e nxitur nga shpenzimet publike, dhe Serbia vazhdon të jetë ndër vendet evropiane me rrezikun më të lartë për varfëri dhe pabarazi.