A e mbron Xhandarmëria e Serbisë Millan Radoiçiqin? Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është interesuar për këtë çështje.
Ai pretendoi se Millan Radoiçiqin, ndaj të cilit është lëshuar njoftim i kuq nga Interpol-i për shkak të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, nuk e mbrojnë pjesëtarët e Xhandarmërisë së Serbisë.
Autoritetet në Serbi i hedhin poshtë raportimet e mediave se Radoiçiqi, si dhe ish-partneri i tij i biznesit nga Kosova, Zvonko Vesellinoviq, mbrohen nga pjesëtarë të Xhandarmërisë.
Nga ana tjetër, kolonelja policore në pension, Sllavica Radovanoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se është “sekret publik” që pjesëtarë të Xhandarmërisë serbe ruajnë një kategori të caktuar personash që nuk u takon të kenë mbrojtje policore.Radovanoviq ka punuar për më shumë se 30 vjet në policinë serbe, ndërsa që nga viti 2021 është deputete opozitare.
“Askush në njësitin e Xhandarmërisë nuk guxon të pyesë se ku janë këta njerëz dhe pse nuk vijnë në punë”, shton ajo.
Ai e ka pranuar se ka organizuar sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, kur u vra një polic i Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues serbë.
Si Radoiçiqi ashtu edhe Veselilnoviqi janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej më shumë se katër vjetësh, për shkak të akuzave që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Për Vuçiqin, Radoiçiqi nuk është kriminel
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se nuk e dinte që do të cilësoheshin si kriminelë ata “që ndiqen nga disa vende të tjera, ose nga ato që nuk janë madje as vende, por entitete”, për shkak të situatës në Kosovë.
Më pas ai iu drejtua komandantit të Xhandarmërisë serbe, Radosllav Repac, me pyetjen: “Pra, sa kuptova, Radosllav, ky nuk është më rast, apo është, gjithsesi?”.
Një ditë më parë, Vuçiqi u kishte thënë gazetarëve se nuk kishte të dhëna të tilla, por edhe se Radoiçiqi nuk ishte në listën e të kërkuarve për shkak të krimit, por për shkak të Kosovës.
Në kohën e sulmit, për të cilin ai ka marrë përgjegjësinë, Radoiçiqi ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi.
Gjykata e Lartë në Beograd, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it nëse ndaj Radoiçiqit ende është në fuqi ndalesa për t’u larguar nga Serbia si dhe detyrimi për t’u paraqitur në polici.
Teksa Radoiçiqi, si organizator i sulmit, ndodhet i lirë në Beograd, në Prishtinë në muajin prill tre persona u dënuan nga Gjykata Themelore për sulmin në Banjskë: dy prej tyre me burgim të përjetshëm dhe një me 30 vjet burgim.