Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se Europa është ndërtuar mbi një vizion të jashtëzakonshëm paqeje, bashkëjetese dhe lirie, duke u shndërruar në simbolin më të fuqishëm të bashkimit mes popujve të ndryshëm pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e mbajtur në Tiranë në kuadër të Ditës së Europës, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së Silvio Gonzato, kryeministri Rama u shpreh se ideja europiane lindi nga nevoja për të tejkaluar ndarjet dhe konfliktet historike, duke krijuar një hapësirë të përbashkët pa kufij ndërshtetërorë, ku popujt jetojnë dhe bashkëpunojnë si të barabartë.
Ai theksoi se 9 Maji përfaqëson një datë historike që simbolizon lindjen e një projekti unik politik dhe historik, Bashkimin Europian, por mbi të gjitha vetë Europën si djep kulturash dhe historish të bashkuara në një paqe shembullore.
“9 Maji nuk kremton vetëm krijesën më të jashtëzakonshme të politikës, Bashkimin Europian, por vetë Europën si hapësirë ku liria dhe dinjiteti njerëzor nuk negociohen”, deklaroi Kryeministri.“Nuk është kohë e mirë për Europën dhe as për botën. Por pikërisht në këtë kohë, më shumë se kurrë, libri i historisë së Europës na mëson se çfarë nuk duhet bërë: mbyllja, frika dhe pesimizmi”, u shpreh ai.
Duke folur për Shqipërinë, kryeministri Rama theksoi se Europa për shqiptarët mbetet një ëndërr, një amanet kombëtar dhe një mision politik i pandryshueshëm, duke nënvizuar përvojën historike të vendit me izolimin.
Në vijim të fjalës së tij, Kryeministri Rama përmendi edhe zhvillimet e fundit në vend, duke iu referuar një ngjarjeje të rëndësishme ndërkombëtare të zhvilluar në Tiranë, e cila sipas tij ishte e paimagjinueshme disa vite më parë, si prelud i Kongresit Botëror të Ligjit, transmeton ATSH.