Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin amerikan për një leje të propozuar për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës, në vlerë prej 14 milionë dollarësh apo më shumë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë disa burime brenda Kongresit.
Njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit amerikan të Shtetit, në përputhje me nenin 36(c) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.
Neni 36(c) kërkon që administrata amerikane ta njoftojë Kongresin për disa shitje apo leje të propozuara të artikujve dhe shërbimeve të mbrojtjes për shtete të huaja.
Njoftimi për furnizimin e Kosovës me armatim të ri amerikan vjen në kohën kur kongresistë amerikanë po bëjnë thirrje që Uashingtoni ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
Kosova nuk ka bërë ende kërkesë formale për t’u anëtarësuar në NATO, pasi përballet me pengesa të mëdha, siç është mungesa e njohjes së saj nga katër vendet anëtare: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.
Në vitin 2024, Kosova bëri kërkesë për blerjen e 200 raketave kundërtanke “Javelin”.
Më 2018, nga SHBA-ja, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.
Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikane i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).
Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi transformimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), e cila insiston që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.
Aktualisht, FSK-ja po përgatitet të bashkohet me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, e cila është pjesë e planit për paqe në këtë rajon, të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Përbërja e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese nuk është përcaktuar ende plotësisht, por, sipas Rezolutës 2803 të OKB-së, ajo pritet të veprojë në koordinim me Izraelin dhe Egjiptin, si dhe me një forcë policore palestineze të trajnuar rishtas.