Gjenerali Christopher Donahue do të mbahet mend për një histori të rrallë.
Ai ishte ushtari i fundit amerikan që u largua nga Afganistani, në vitin 2021, duke hipur në avionin ushtarak C-17 i cili u nis nga Kabuli, duke shënuar mbylljen e misionit militar të Shteteve të Bashkuara në këtë vend aziatik.
Pos kësaj historie, Donahue, që tashti është komandant i forcave amerikane në Evropë dhe Afrikë, do të mbahet mend edhe për një gjë tjetër – largimin e papritur nga ky post, më 2 korrik, vetëm 18 muaj pasi mori detyrën.
Lajmi u konfirmua nga Ushtria, e cila njoftoi se detyrat e tij do të kryhen përkohësisht nga zëvendësi i tij, gjeneralmajori Christopher Norrie, raporton AP, transmeton KosovaPress.I diplomuar në Akademinë Ushtarake West Point dhe me një karrierë të gjatë në forcat speciale, Donahue ka komanduar njësitë Delta Force në Irak dhe Afganistan, si dhe Divizionin e 82-të Ajror.

Sipas mediave amerikane, largimi i Donahue vjen në kohën kur Pentagoni po shqyrton mundësinë e uljes së statusit të Komandës së Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë nga nivel katër-yjesh në tre-yjesh, në kuadër të rishikimit të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.